Futboll

SC Gjilani në këtë stinor, nga rreziku për shuarje deri te shpresat që sërish të dalë në Evropë

Shkruan: Enver Sadiku

Muaji gusht kishte nisur, kampionati ishte në prag e SC Gjilani as që i kishte filluar përgatitjet. Dorëheqja e kryetarit Florim Zuka, largimi i kryetrajnerit Zekirja Ramadani e më pas edhe i Klodian Duros  dhe gati i tërë grupit të futbollistëve e kishin lënë SC Gjilanin në pozitë tejet të palakmueshme.

Mirëpo, kur u duk se SC Gjilani as që do të mund t’ia nis garave, u gjetën njerëz të vullnetit të mirë, u gjet forma që  stërvitjet që kishin nisur me ekipin U21, që drejtoheshin nga Genc Sermaxhaj dhe me juniorë, të angazhohej kryetrajneri Gentjan Mezani dhe të vazhdohej puna dhe me këta lojtarë dhe disa që mbetën, ndonëse me dy javë vonesë e  nisën kampionatin. Dita – ditës ekipi kompletohej me lojtarë, nisën edhe rezultatet pozitive dhe në fund të stinorit vjeshtor SC Gjilani u radhit në pozitën e tetë, me pesë fitore, tri barazime dhe dhjetë humbje, duke tubuar 18 pikë, gjë e cila mbase edhe mund të konsiderohet sukses, kur dihen të gjitha peripecitë e SC Gjilanit.

SC Gjilani, nga 54 pikë të mundshme, ka marrë 18 pikë, apo 33,33 përqind të pikëve. Gjatë stinorit vjeshtor, Gjilani ia doli që në portën e kundërshtarëve të shënojë 13 herë, apo mesatarisht 0,72 gola për ndeshje, kurse sa i përket golave të pranuar portierët e Gjilanit, Betim Halimi dhe Arijon Bllaca 18 herë nxorën topin nga rrjeta, apo mesatarisht pranuan nga një  gol për ndeshje. Në pesë ndeshje porta e Gjilanit mbeti e paprekur.

Golashënuesi më i mirë i Gjilanit ishte Kushtrim Shabani me 3 gola të shënuar Mevlan, derisa nga dy herë shënuan Edi Basha, Elvedin Heriq dhe Qëndrim Ismajli.

Gjilanin e pret një punë e vështirë në pranverë për t’i ikur pjesës së rrezikshme në tabelë, derisa kësaj here mbase Evropën do t’a kërkojë nëpërmjet ndeshjeve të Kupës, ku ende është në garë dhe ku për rival do t’a ketë Prishtinën, e cila pikërisht në këtë vit e kishte mposhtur në finale të Kupës.

You Might Also Like