Gjilan

Shengyl Imami figurë emblematike e Sportit, Kulturës dhe Humanizmit në Gjilan

Në historinë e Gjilanit, një emër që mbetet i pashlyeshëm është ai i Shengyl Imamit, një njeri që ka lënë gjurmë të thella në sport, kulturë dhe humanizëm. Tani në moshën 68-vjeçare, Imami vazhdon të kujtohet me respekt dhe admirim për kontributet e tij të shumta dhe të vyera gjatë periudhave më të vështira të vendit tonë.

Karriera e Imamit filloi që në moshën 10-vjeçare, kur ai u shqua si një talent i madh në futboll. Në moshën 15-vjeçare, ai u paraqit në formacionin e parë të KF Tekstili, duke treguar aftësi të jashtëzakonshme në fushën e lojës. Përveç futbollit, ai ishte gjithashtu një nxënës i dalluar, veçanërisht në lëndën e Matematikës. Kjo dashuri për mësimin e matematikës e çoi të vazhdonte shkollën e mesme në Prishtinë, ku u bashkua me ekipin e juniorëve të KF Prishtina.

Imami tregoi performanca të larta si sulmues i majtë, duke u shquar për pasimet e sakta, shpejtësinë dhe gjuajtjet e forta. Ai fitoi nofkën “Kevin Keegan” për shkak të stilit të tij të lojës që i ngjante legjendës angleze.

Pas një periudhe Imami rikthehet në Gjilan, për tu bërë pjesë e klubit C.Zvezda, por politika e atëhershme e largoi si të padëshiruar në këtë klub. Imami më pas iu bashkua KF Drita në vitin 1973/74. Performancat e tij të larta vazhduan edhe në KF Studenti, por ai u rikthye përsëri tek KF Drita, ku përfundoi karrierën futbollistike në vitin 1979.

Ai sot kujton me nostalgji karrierën e tij “Kisha një talent për futbollin, ishin kohëra të vështira, por ishin shumë të ëmbla për mua e shoqërinë time. Jam shumë krenar për bashkëlojtarët e mi që kaluam karrierën së bashku, ku edhe sot mbajmë kontakte. Për mua futbolli ishte dhe do të mbetet i shenjtë.” Dashuria e Imamit për futbollin dhe veçanërisht për legjendën e futbollit Fadil Vokrri ishte e jashtëzakonshme.

Kur KF Prishtina hyri në Superligën e ish-Jugosllavisë në vitin 1983, Imami krijoi një transparencë ku shkruante “Prishtina Kampion” dhe e shpalosi atë për herë të parë në rrugët e Prishtinës dhe në stadium. Për 100-vjetorin e KF Prishtina, ai i dhuroi këtë transparent legjendar klubit nga kryeqyteti, një akt që ishte krenaria e gjithë shqiptarëve në atë kohë. Përveç karrierës së tij si futbollist, Imami dha një kontribut të veçantë për dy vite si drejtor i FC Drita.

Gjatë viteve të vështira të ’90-ta, kur sportistët u larguan nga fushat sportive, Imami ishte një donator i madh i futbollit të vogël, duke përkrahur sportin në mënyra të ndryshme. Ai gjithashtu u dallua si menaxher futbolli, duke ndihmuar futbollistin Muharrem Sahiti të transferohej në klubin turk Konyaspor në vitin 1990. Kur mediat u mbyllën gjatë viteve ’90-ta, Imami arriti të rikthente sadopak imazhin e kulturës në Kosovë. Nga viti 1990 deri në 1999, ai organizoi koncerte të panumërta si në Kosovë ashtu edhe në diasporë.

Ai gjithashtu inçizoi me artistët e kohës shtatë videokaseta, angazhime që zbusnin mungesën e kulturës në Kosovë. Imami tani thekson rëndësinë e këtyre organizimeve: “Koncertet dhe videokasetat që publikuam gjatë kësaj kohe ishin të vetmet informime në gjuhën shqipe në Kosovë. Ishte rrezik që të punonim në këto organizime, por dashuria ndaj popullit ishte më e madhe se ky rrezik që kanosej.” Përveç kontributit të tij në sport dhe kulturë, Shengyl Imami është i njohur si një nga humanistët më të mëdhenj të Komunës së Gjilanit.

Gjatë viteve të ’90-ta dhe edhe sot, ai ka ndihmuar shumë familje skamnore, duke ua lehtësuar jetën. Përveç tij, familja e tij vazhdon traditën sportive. Djali i tij, Elvir Imami, ishte një futbollist i dalluar tek FC Drita, duke qenë kapiten dhe një nga lojtarët më të mirë të këtij klubi.

Tani, nipërit e tij, Noar dhe Kaan Imami, vazhdojnë stërvitjet në kategoritë e reja dhe pritet që në të ardhmen të bëhen emra të mëdhenj të futbollit vendor e ndërkombëtar. Shengyl Imami mbetet një ikonë e sportit, kulturës dhe humanizmit në Komunën e Gjilanit.

Ai është një shembull i përkushtimit dhe dashurisë për vendin dhe popullin e tij, duke lënë pas një trashëgimi të pasur që do të kujtohet për breza të tërë. Përkushtimi dhe pasioni i tij për futbollin, përpjekjet e tij për të mbajtur gjallë kulturën dhe angazhimi i tij për të ndihmuar të tjerët janë dëshmi e një jete të jetuar me nder dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Ai është një frymëzim për të gjithë ata që e njohin dhe një hero i vërtetë i kohëve moderne.

You Might Also Like