Në vitin 1971, në një kohë kur sportet e luftës ishin ende në fazën fillestare në Kosovë e ne qytetin e Gjilanit, një person u ngrit si fryma udhëheqëse e karates në këtë qytet, duke hapur rrugën për zhvillimin e një sporti që do të bëhej i njohur në të gjithë vendin.
Ky person ishte Jonuz Jonuzi, një 18-vjeçar i përkushtuar dhe i vendosur për të ndërtuar një kulturë sportive të re në Gjilan.
Jonuzi filloi rrugëtimin e tij në botën e karates pasi hapat e parë i kishte marre nga karateisti me famë botërore, Emin Topic, sa ishte student në Fakultetin Juridik në Kroaci. Jonuzi u rikthye në Gjilan me një vizion të qartë për të përhapur sportin e karates në qytetin e tij – si trajner e karateist.
Duke filluar me një grup të vogël entuziastësh, ai bëri kërkesa dhe përpjekje të vazhdueshme për të siguruar mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e sportit të karates në Gjilan, ku për një kohë të shkurt u mblodhen rreth 70 karateist. Me kalimin e viteve, karateja në Gjilan u rrit dhe u përhap, duke marrë një numër të madh të praktikuesve dhe duke arritur suksese të shumta në arenën vendase dhe ndërkombëtare. Kontributi dhe guximi i Jonuz Jonuzit në fillimin dhe zhvillimin e sportit të karates në Gjilan mbeten një histori frymëzuese për të gjithë ata që ndjekin pasionin e tyre dhe punojnë për të arritur qëllimet e tyre në botën e sportit. Jonuz Jonuzi, tregon për “lulëzimin” e sportit të Karatesë në Gjilan.
“Ishte viti 1971 dhe pas shumë kërkesave në Komunë, arrita të grumbulloj mbi 70 karateistë, ku së bashku nuk u ndalëm në asnjë moment për të filluar një rrugëtim në sportin e Karatesë. Në këtë grumbullim kishte shumë të rinj nga të gjitha nacionalitetet. Ishte një kohë e vështirë, por synimi dhe besimi në sportin e karates nuk na lejoi të dorëzoheshim.” Hapat e parë të karatesë, Jonuzi i mori tek karateisti me famë botërore, Emin Topic, dhe me shume nostalgji tregon për fillimet e tij në këtë sport. “Si student isha i dashuruar në sportin e karates, isha i fuqishëm dhe kisha synime që karriera ime të zhvillohej në sportin e karates. Ato ishin vite kur karatea po shpërthente nëpër Evropë. Personalisht ndihem shumë krenar që rrugëtimi im dha shpresa për shumë karateistë për gjeneratat e ardhshme.” Jonuz Jonuzi rrjedh nga një familje patriotike nga fshati Ballanc, i cili gjatë viteve të 90-ta dha kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare. Jonuz Jonuzi, sot në moshën 71-vjeçare, vazhdon të ruajë me shumë nostalgji “kimonet” dhe shiritat e karates, si dhe shumë kupa dhe mirenjohje të cilat i kishte marrë gjatë karrierës së tij të shkëlqyer në botën e karates në Gjilan.
Me kalimin e viteve, kontributi dhe angazhimi i Jonuzit në zhvillimin e karates në këtë qytet e ka bërë atë të gëzojë një respekt të veçantë tek qytetarët dhe familja e tij. Përkushtimi dhe pasioni i tij për këtë sport, si dhe arritjet e tij të shumta, e bëjnë Jonuz Jonuzin një figurë të rëndësishme dhe frymëzuese për gjeneratat e ardhshme të karateistëve në Gjilan. Për Jonuzin, karateja nuk është vetëm një sport, por një mënyrë e jetës dhe një pasion që ai ka ndërtuar dhe kultivuar me shumë përkushtim dhe zell gjatë gjithë këtyre viteve. Njëherit, ai është një shembull frymëzues për të gjithë ata që ndjekin pasionin e tyre dhe punojnë për të arritur sukseset më të mëdha në jetë. Për këtë arsye, Jonuz Jonuzi mbetet një nga figurat më të rëndësishme dhe të nderuara në botën e sportit në Gjilan, duke lënë një gjurmë të thellë dhe frymëzuese për të gjithë komunitetin sportiv dhe për brezat e ardhshëm.