Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti u shpreh i lumtur për inaugurimin e parkut industrial në fshatin Budrikë të kësaj komune.
Haliti fillimisht i uroi mirëseardhje Kurtit, ndërsa përmendi nevojën dhe potencialin e atij rajoni për zhvillim.
“I nderuar kryeministër Kurti, mirë se ke ardhë në Viti. Mirë se ke ardhë në Anamoravë, në sektorin e lindjes”, tha fillimisht ai.
Haliti, përveç Qeverisë aktuale, i falënderoi edhe ish-kryeministrat dhe ministrat e mëparshëm të cilët tha se kanë kontribuar për këtë.
“Jam për me e falënderu kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës, ministren Hajdari, por edhe ish-ministrat, pa dallime, Hykmete Bajramin, ministrin Hasani, edhe ish-kryeministrat të cilët kanë kontribu që me e fillu ne këtë park industrial dhe të gjitha parqet në Kosovë”, tha ai.
Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti theksoi se ky projekt është “investim kapital prej 1.7 milionë eurosh nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, ndërsa foli edhe për rritjen e qarkullimit të bizneseve, në vazhdën e argumentimit që po përpiqet ta bëjë së fundmi se shteti, sipas tij, është pasuruar.