Gjilan, 18 korrik 2017 – Komisioni Komunal të premten do ta bëjë përzgjedhjen e punimeve fituese të shtatores së Idriz Seferit dhe bustet e horonjve, Halim Orana, Hamdi Berisha, Ramiz Cernica, Reshat Ymeri e Muharrem Ibrahimi.
Përgjatë këtyre katër ditëve, qytetarët dhe familjarët e heronjve kanë mundësinë t’i shohin këto punime në zyrën e kryetarit, Lutfi Haziri.
“Deri të premten ne do t’i hapim zyrat për audiencën, qytetarët dhe familjarët që t’i shohin dhe t’i marrim edhe vlerësimet e tyre, në mënyrë që Komisioni t’i finalizoj anën formale të premten dhe të derdhen në bronz, në mënyrë që me 28 nëntor të vendosen në vende meritore. Ne i kemi ndarë mbi 100 mijë euro këtë vit për vendosjen e tyre”, ka thënë kryetari Haziri.
Në këtë mënyrë, Haziri tha se Gjilani po e mbyllë nevojën dhe mirënjohjen për auoritetet që historikisht janë kryengritur për lirinë e shqiptarëve.
Kreu i gjilanasve theksoi me këtë rast se Gjilani është e vetmja komunë e vlerësuar ndërkombëtarisht nga Këshilli i Europës me mirënjohjen “Qytet i Paqes”, sikurse edhe nga presidenti i Republikës së Kosovës me“Medaljen e Lirisë”.
Përndryshe, vitin 2017 kryetari i Gjilanit e ka shpallur vit të Idriz Seferit, përderisa me kërkesën e tij, është dekoruar me urdhërin më të lartë shtetëtor nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.