Gjilan, 29 janar 2019 – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, sot ka mbajtur takim me zyrtarët përgjegjës policor, të Sektorit për hetimin e trafikimit me narkotikë, në Gjilan.
Ky takim kishte për qëllim diskutimin dhe hartimin e planit të veprimit, për luftimin, parandalimin dhe zbulimin e kryerësve, të cilët janë të inkriminuar në veprat penale, që lidhen me substanca narkotike.
Kryeprokurori Maloku, theksoi se duke pasur parasysh se në regjionin e Gjilanit, kjo dukuri negative ka shënuar rritje, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka caktuar prokurorin Shefik Memeti – koordinator, për hetimin e rasteve të kësaj natyre.
Në këtë takim, pjesëmarrësit u koordinuan, që për këto raste të veprohet me urgjencë, e sidomos kur janë të përfshirë recidivistët dhe me prioritet të veçantë të trajtohen rastet, në të cilat janë të përfshirë të miturit, pasi që situatë alarmante është përdorimi i mjeteve narkotike nga nxënësit, nëpër objektet shkollore.
Në fund të takimit, pjesëmarrësit e vlerësuan lartë bashkëpunimin reciprok, duke potencuar se në bazë të këtij koordinimi, do të tejkalohen vështirësitë, në drejtim të luftimit dhe parandalimit të kësaj dukurie, duke shprehur bindjen se takimet e tilla, do të ofrojnë rezultate konkrete.