Mbrëmë në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë, trupa e Teatrit të Qytetit të Vitisë, shfaqi komedinë “Vëllazëri e Interes” për qytetarët e Pejës, gjegjësisht diasporën e kësaj komune.
Shfaqja e Teatrit të Vitisë, u dha në kuadër të manifestimeve për nderë të “Ditëve të Diasporës dhe Mërgatës”, organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport dhe Drejtoria për Integrime dhe Diasporë e komunës së Pejës.
Avdi Lutfiu, drejtor i Teatrit të Qytetit të Vitisë, njiherit regjisor i komedisë “Vëllazëri e Interes”, theksoi se kanë pranuar me kënaqësi ftesën e komunës së Pejës për të dhënë shfaqjen, dedikuar mërgatës së kësaj komune. Gjithashtu, Lutfiu tha se javën e ardhshme shfaqja do të jepet sërish në Viti më 5 gusht, ndërkohë që do të pasoj me paraqitjen para publikut në Kamenicë e Kaçanik. “Si realizim skenik, komedia në fjalë ka arrit që të jetë e kërkuar për tu rishfaqur.” Jam shumë i kënaqur me lojën e aktorëve, të cilët me përpikëri kanë arrit atë që kam kërkuar nga ata. Edhe mbrëmë në Pejë, loja e aktorëve ka bërë që publiku pejan të ndahet I kënaqur, por edhe të hënën në Viti, pastaj në Kamenicë e Kaçanik, besojmë se do ti surprizojm spektatorët”, ka thënë Lutfiu. Udhëheqësit e Teatrit të Qytetit të Vitisë, si dhe aktorët e kësaj trupe, u shprehën falënderues komunës së Pejës, si për ftesën, po ashtu edhe për shpenzimet rreth organizimit të shfaqjes së mbrëmshme. A.Zuka