Shkruan: Arben Zeqiri
Në futbollin tonë është bërë pothuajse traditë: sa herë që rezultatet nuk janë ato që priten, përgjegjësi i parë dhe shpesh i vetmi është trajneri. Është vendimi më i lehtë, por jo domosdoshmërisht më i drejtë.
Shkarkimi i trajnerit të FC Drita i cili i solli klubit dy tituj kampion radhazi, dhe i KF Dukagjini, i cili arriti daljen në Evropë, janë vendime që meritojnë analizë të thellë.
Dy tituj nuk fitohen rastësisht. Ata tituj janë rezultat i punës, disiplinës, profesionalizmit dhe vizionit të një stafi që ka ditur ta udhëheqë ekipin drejt suksesit.
Por futbolli nuk fillon dhe nuk mbaron te trajneri.
Kur një skuadër nuk funksionon, duhet parë më thellë: si është ndërtuar ekipi, çfarë cilësie ka merkatoja, si menaxhohet klubi, çfarë mbështetjeje i është dhënë trajnerit dhe sa përgjegjësi marrin futbollistët në fushë. Është shumë e lehtë të ndryshosh trajnerin. Është shumë më e vështirë të ndryshosh mënyrën e të menduarit dhe të funksionuarit.
Klubet serioze ndërtojnë identitet dhe stabilitet. Ato nuk kërkojnë një fajtor pas çdo rezultati negativ, por analizojnë me sinqeritet të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë. Sepse suksesi është i të gjithëve dhe dështimi duhet të jetë po aq i të gjithëve.
Trajnerët mund të ndërroni sa herë të dëshironi sepse ju i jepni lekët, por, nëse nuk ndryshon mentaliteti i menaxhimit, kultura e përgjegjësisë dhe filozofia e funksionimit të klubit, atëherë edhe trajneri i radhës, herët a vonë, do të përballet me të njëjtin fat.
Historia e futbollit na ka mësuar një gjë: klubet nuk bëhen të mëdha vetëm duke ndërruar trajnerë. Ato bëhen të mëdha kur ndërtojnë:
-planet afatshkurtëra, afatmesme, afatgjata; -një kulturë fituese, ku secili mban përgjegjësinë që i takon.
Sepse problemi nuk është gjithmonë ai që qëndron në pankinë. Shpeshherë, problemi është mënyra se si drejtohet klubi nga prapaskena.





