Libri

U promovua libri “Shprushje nëpër vargjet që nuk zbehen”

Në Bibliotekën Ndërajonale “Fan. S. Noli” në kuadër të “Vjeshtës letrare të Gjilanit” është promovuar libri “Shprushje nëpër vargjet që nuk zbehen”, grup autorësh, në të cilën Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Club “Beqir Musliu” ka thënë se Rexhep Elmazi, mbetet emri më i ndritur i atdhetarisë dhe poezisë ndër ne, ngase nëpërmjet poezive të tij ka bërë që ai të mbetet ndër poetët më të lexuar dhe preokupim i studiuesëve të letërsisë, shkruan kryelajmi.com.

“Kanë kaluar pesë dekada dhe poezia e Rexhep Elmazit vazhdon të vlerësohet  dhe qe gjysmë shekulli poezia e tij është aktuale”, ka thënë Rrustemi.

Anton Nikë Berisha, ka thënë se kuy libër e ringjall poetin, ngase siç ka thënë ai, teksti e bënë poetin e jo poeti tekstin dhe se sa më shumë vepra të kësaj natyre që botohen, poetët janë më afër nesh.

Zyrafete Shala, kritike letrare dhe recensente e këtij libri,  ka theksuar se kritika për poezinë e Rexhep Elmazit është marrë prej vitit 1972 e deri më 2023. Ai kishte dy vëllime me poezi,  për poezinë e tij u bënë disa studime, u shkruan libra  e ky libër i fundit e plotëson krijimtarinë për Rexhep Elmazin. Ajo tha se vështrime për poezinë e Rexhep Elmazit kanë bërë Jusuf Gërvalla, Ali Aliu, Teki Dervishi, Ramadan Musliu, Anton Berisha e kritikë të tjerë.

Pjesëmarrësit i ka falënderuar i biri i poetit, Salvador Elmazi, i cili tha se edhe ai poetin – babanë e kishte njohur përmes veprave të tija dhe të miqve të tij, të cilët i kishin folur shumë për Rexhep Elmazin, ngase Salvadori ishte ndarë më babanë kur i kishte tri vite.

“Rexhep Elmazi jetën e tij e ka kënduar”, ka thënë Salvador Elmazi.

Pjesë nga veprat e Rexhep Elmazit kanë deklamuar profesori Zejnullah Zejnullahu dhe Zanë Mali, kurse “Vjeshta Letrare e Gjilanit” do të vazhdojë me aktivitete të tjera. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like