ARSIMI

Universiteti “Kadri Zeka” do të thelloj bashkëpunimin me Universitetin e Trakyas

Drejtues të Universitetit “Kadri Zeka’ në Gjilan, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka, Prorektorja për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve Shpresë Qamili, Prorektori për Buxhet dhe Financa Naim Mustafa si dhe Sekretari i Përgjithshëm Vaxhid Sadriu, kanë pritur në takim një delegacion nga Universiteti i Trakyas së Turqisë, kryesuar nga Hilmi Ibar Këshilltar i Rektorit të Universitetit të Trakyas dhe Murat Turkyilma Prorektor për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Në emër të Rektorit, mysafirëve mirëseardhje u ka dëshiruar Prorektori Dukagjin Leka. Ai njëherësh ka njoftuar ata rreth marrëveshjeve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare që ka Universitetit “Kadri Zeka” , duke theksuar nevojën e bashkëpunimit edhe me institucione tjera.

Kurse prorektorja Shpresë Qamili, ka folur për punën dhe aktivitetet e Universitetit që nga themelimi e deri më tani.

Gjatë këtij takimi është diskutuar rreth konkretizimit të marrëveshjes që Universiteti “Kadri Zeka” ka me Universitetin e Trakyas.

Po ashtu është diskutuar edhe mundësia e aplikimit të programeve të përbashkëta të studimeve të doktoraturës.

Temë diskutimi në këtë takim ishte edhe mbështetja që Universiteti i Trakyas do të ofrojë për Universitetin “Kadri Zeka” me staf akademik për akreditimin e programeve të reja studimore.

Të dyja delegacionet u morën vesh që të shikohet mundësia e thellimit të bashkëpunimit në shkëmbimin e personelit akademik , në konkurrim për projekte e fonde evropiane, në organizimin e konferencave të përbashkëta dhe në organizimin e përbashkët të shkollave verore.

You Might Also Like