Asociacioni “Varg e Vi” (VeV) në Gjilan, së fundi ka realizuar projektin e quajtur “Ecja e shëndetshme” (“Healthy Walk”), duke vendosur tabela orientimesh në shtegun e ecjes në pyllnajën e fshatit Stanishor të Komunën së Artanës, i cili është vendi tashmë më i frekuentuari, sidomos nga banorët e Gjilanit.
VeV përveç tabelave orientuese për admiruesit e natyrës, ecjes dhe gjelbërimit, ka vendosur dy minibiblioteka me libra, një hulaçkë relaksimi për lexuesit dhe në lisat e prerë, rrëzë tyre, ka vendosur fotografitë e fotografit të njohur edhe ndërkombëtarisht, të pasionuarit në botën e zogjve, Arian Mavriqit, duke përçuar mesazhin e ikjes së zogjve, në rast se i presim pyjet, dhe kështu, rrezikojmë ta prishim harmoninë me ekosistemin.
VeV përmes kulturës, ka synuar mbrojtjen e mjedisit të Stanishorit, intervenimin e lehtë artistik në pyllnajën e këtij vendi, duke kulmuar edhe me aktivitetin e fundit përmbyllës të projektit, duke bërë audiencën ta dëgjonte gjatë ecjes në shtegun “Healthy Walk”, audio-dokumentarin për Gllamën dhe Stanishorin, duke u ndalur në kujtesën kolektive të peshkatarëve sportivë, ndotjen e ambientit për banorët nga gurëthyesit, apelin për ruajtjen e pyllnajës së Stanishorit dhe shtegut të ecjes e të ushtrimeve për qytetarët e tërë këtij rajoni. Projekti është mbështetur nga Balkan Green Foundation, Zyra e Bashkimit Evropian, RockeFeller Brothers Fund, INDEP dhe Heinrich-Böll-Stiftung.
Projekti “Healthy Walk” mëton ecje të shëndetshme në pyll, vetëm duke e ruajtur identitetin e pyllit dhe e lufton qethjen e pyllit, ndotjen akustike dhe pluhurin e bardhë të gurëthyesve. VeV përmes projektit “Healthy Walk”, rreshtohet në anën e biodiversitetit, duke e bërë betejën për të krijuar ikona “recycle bin”, për reduktim, ripërdorim dhe riciklim, përmes kreativitetit artistik, dhe duke thirrur për ekoqytetari dhe ekoart.
Varg e Vi
Gjilan