Një gol në minutën e fundit ka lënë të shtangur adhuruesit e Dritës, të cilët kanë besuar se ekipi i tyre i zemrës në mos pikët e plota, së paku do të marr një pikë, në ballafaqim me kampionin në fuqi, Feroniklin nga Drenasi.
Ekipi mysafirë ka shënuar në minutën 90 nëpërmjet Mark Milicajt, i cili ka marrë një top nga Gëzim Gashi.
Drita e ka nisur mirë ndeshjen, kur në minutën 3 ka rrezikuar nëpërmjet Zenelit, por që Maloku u tregua i sigurt. Maloku priti edhe një gjuajtje tjetër të Zenelit në minutën 20. Në pjesë e parë, mysafirët patën dy raste të mira, nëpërmjet Milicajt, gjuajtjen e të cilit e ndali Latifi dhe nëpërmjet Kamaras, i cili gjuajti jashtë në minutën e fundit të pjesës së parë. Dy mundësi fantastike për Dritën brenda një minute. Fillimisht Livoreka i vetëm me Malokun gjuan drejt në duart e portierit mysafir, derisa më pas Maliqi nuk arrin të shtyejë topin drejt rrjetës në portën e zbrazët.
Drita pati rastin më të mirë të ndeshjes në minutën 76, por gjuajtjen e zëvendësuesit Alban Shillova e priti portieri Faton Maloku.
Kur pritej se ndeshja do të mbyllet pa gola, erdhi fundi i keq për Dritën e cila pësoi në minutën e fundit.