Futboll

Yll Abazi ftohet në Kombëtaren U19 të Kosovës në futsall

Talenti i Dritës, Yll Abazi, është ftuar nga Përzgjedhësi i Kombëtares U19 të Kosovës në futsall, Suad Keçi, për të përfaqësuar Kosovën në ndeshjet para-kualifikuese që do të mbahen në San Marino. Në këto ndeshje, Dardanët e rinj do të përballen me Azerbajxhanin dhe San Marinon, me synimin për t’u renditur në krye të grupit.

Yll Abazi, sulmuesi i talentuar i krahut të djathtë nga FC Drita, po dëshmon çdo ditë se është një nga lojtarët më premtues të futbollit kosovar. Në stinorin vjeshtor, ai ka shënuar 9 gola dhe ka asistuar në 4 raste, duke treguar formë të shkëlqyer dhe aftësi të jashtëzakonshme në fushën e lojës. Këto performanca të mira kanë bindur përzgjedhësin Suad Keçi që ta ftojë në Kombëtaren U19, një hap i rëndësishëm për karrierën e tij.

Skuadra e Kosovës U19 do të udhëtojë drejt San Marinos më 22 janar dhe do të qëndrojë atje deri më 26 janar për të zhvilluar ndeshjet ndaj Azerbajxhanit dhe San Marinos. Këto përballje do të jenë vendimtare për synimet e Kombëtares së Kosovës në garat e ardhshme.

I emocionuar nga kjo mundësi, Yll Abazi është shprehur mirënjohës për ftesën: “Jam shumë i nderuar dhe i gëzuar që do ta vesh fanellën e shtetit tim.

Përzgjedhësin e falënderoj për besimin që ka pasur ndaj meje. Besoj se do të kualifikohemi për garat e ardhshme dhe do të japim maksimumin për rezultate pozitive. Ky rrugëtim me Kombëtaren e Dardanëve të rinj është diçka e veçantë për mua, duke nderuar familjen dhe shtetin tim.

” Përzgjedhësi Suad Keçi është gjithashtu optimist për suksesin e ekipit: “Do të jetë mjaft e vështirë, pasi luajmë në një vend të huaj dhe secila Kombëtare ka synimet e saj. Ne do të japim maksimumin së bashku me futbollistët për t’u rikthyer në Kosovë me kokën lart. Mendoj se kemi një ekip të mirë dhe shpresoj se do ta arrijmë qëllimin tonë.

” Kombëtarja e Kosovës U19 në futsall do të zhvillojë dy ditë radhazi ushtrime intensive para nisjes drejt San Marinos, për të qenë sa më e përgatitur për sfidat e rëndësishme. Yll Abazi, me potencialin e tij të jashtëzakonshëm dhe dedikimin ndaj futbollit, është padyshim një lojtar që premton shumë për të ardhmen e sportit kosovar.

You Might Also Like