Në komunat Gjilan, Kamenicë, Viti dhe Artanë gjatë vitit 2016 nuk ka ndodhur asnjë vrasje. Kështu thuhet në raportin vjetor të punës së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, e cila ka sjellë statistika për vitin 2016 dhe të cilat dëshmojnë se gjendja është më e mirë në krahasim me vitin paraprak.
Sipas nënkolonel Shaban Azizit, zëvendës drejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë, në këtë raport shihet një rritje e vogël e veprave penale të raportuara, që më 2016 ishin 3223, lëndime të rënda trupore pati 22, lëndime të lehta trupore – 319, vjedhje të rënda- 607 dhe 29 grabitje.
Policia ka dhënë statistika edhe për incidente të inicuara, që nuk konsiderohen vepra penale dhe të tilla ishin 1206, pastaj prishje të rendit dhe qetësisë publike – 104, vetëvrasje – 2, tentim vetëvrasje – 5, persona të arrestuar sipas autorizimeve policore – 1233, Persona të arrestuar me urdhëresa të Interpolit apo Europolit nuk pati , derisa persona të ndaluar në Qendra të Mbajtjes Policore ishin 271.