Sabit RRUSTEMI
TRUNGU I PËRBASHKËT I DY FSHATRAVE
( Përpjekje për ta ndriquar një rrugëtim mbi 300 vjeçar të fshatrave Kurexhaj e Terziaj, kreshtave të thella të Karadakut)
Kurexhajt dhe Terziajt janë dy vendbanime që ndodhen në juglindje të Kosovës, në kufi me komunën e Preshevës. Të dy këto vendbanime janë të vendosura në kodra paksa të rrafshëta, dhe vende ku mund të zhvillohej blegtoria dhe bujqësia. Kodrat kur zbresin nga gjysme e tyre theksohen nga një pjerrtësi më e madhe. Ndërmjet kanë Rekën e Ahit, një luginë që shtrihet nga Zhegra deri në rrëzat e Peçenës.
Fshatrat janë me shtëpi të shpërndara, ndërsa janë marrë në shqyrtim bashkë sepse lidhjet ndërmjet Kurexhajve dhe Terziajve janë të hershme, sëpaku 300 vjeçare, dhe janë lidhje gjaku apo, pjesë e një Trungu familjar.
Është e rëndësishme të thuhet se këto vendbanime i përkasin mesjetës së vonë turke. Prandaj, edhe emrat e tyre lidhen ose me llagapet e vendbanimit të parë, ose me të parin e tyre. Kështu, Terziajt deri në vitin 1882 janë quajtur prej të tjerëve, KARADAK, madje edhe përmes dokumenteve zyrtrare, kurse emrin që e ka edhe sot, ia kanë vu sipas zejes që kanë ushtruar, mjeshtrisë zdrugdhendjes dhe rrobaqepësisë, ndërsa toponimi Kurexhaj zbërthehet lehtë në Kurt – Rexhaj.
Rrjedhimisht, Kurti (apo Kurteshi) i Rexhepit, me të bijtë, Tahirin e Hasanin janë banorët e parë të ayre që më pas do të thirren KUREXHAJ. Ata do të nguliten në këto hapësira kah fundi i shekullit XVII dhe fillimi i shekullit XVIII, apo mes viteve 1797 – 1800 dhe ate nga Mahalla e Rexhmemëve, ku kishin pas ardhur nga një fshat i Kumanovës, sot paralagje e këtij qyteti, REZHANOVC, apo siç e kanë quajtur të parët tanë, fshati ERGJANOC., gjatë periudhës së luftërave ruse me ate osmane , të cilat u patën zhvilluar mes viteve 1768 – 1774.
Në ndërkohë, pasardhësit e Kolës, vëllait të Memës, ishin ngulitur në Terziaj nga Gomurja, një lokacion mes fshatrave Caravajkë e Lafetaj pak më herët, ku kishin pas qëndruar me vite.
Lëvizjet e pasardhësve të Memës dhe Kolës, duket të kenë qenë të koordinuara, jo vetëm për kushte më të mira jete, por edhe për rritjen e hapësirave të tyre ku do të jetonin më pas për dy shekujsh e më shumë.
Se nga kishin ardhur ata më parë në Ergjanoc, mbetet për të hulumtuar edhe mëtutje, për të qenë sa më të saktë, ndërkohë që këta po lëshonin rrënjë në vendbanimet e reja të kësaj pjese të Karadakut.
Bijtë e Kurt Rexhës,
Tahiri e Hasani, përmes djemëve të tyrë Hazirit, Tafës e Murselit, do t’ju japin formë tri lagjeve të reja, aty kah vitet 40-ta të shekullit XIX-të, të cilat sot e asaj dite njihen si , “Mahalla e Hazirve”, Mahalla e Tafovit’ve” sdhe “Mahalla e Mursel’ve”.
E, stërnipët e Kolës në Terziaj, të cilët kishin përjetuar një katrahurë internimi për moskalimin në “fenë e re”, do të degëzohen gjithashtu në tri grupime të kësaj natyre: “Tomtë”, “Simontë dhe “Zeftë”.
Këtyre tri grupimeve edhe në Terziaj, ju shtohen edhe tri degëza familjare që aty vendosen nga Kurexhajt.
Fillimisht Jakupi me të bijtë, që mund të jetë, o djali o nipi i Kurtit të Rexhës, si dhe një lozë e lagjes së “Tafovit’ve,” – Ajvaztë që shumë shpejtë në Terziaj u quajtën “Mahalla e Ajvaz’ve” si dhe një lozë e lagjes së “Mursel’ve”, që në Terziaj edhe sot njihen si “Mahalla e Hajdin’ve”.
Ndërsa tri lagjeve në Kurexhaj, përkatësisht në fillim të shekullit XIX-të, iu shtohet edhe një lagje, ajo e “Muqollve”.
Bazuar nga rrëfimi i Shaban Bajramit, veteran i arsimit dhe pjesë e kësaj lagjeje, familja e Veli Plakit, pas një konflikti që kishin pasur me “zaptijet e Turkisë”, ishin detyruar të kërkonin strehë diku gjetkë, dhe ishin vendosur në Depce, përkatësisht në lagjen e Mehajve, aty kah vitet 1865 – 1870-të.
Të prekur nga rasti dhe fati i kësaj familjeje edhe kurexhasit iu kishin afruar mbështetje . Rezultat i kësaj mbështetje, ishin afruar e miqësuar mes vete, sa, pas vdekjes së Veli Plakit, kësaj familjeje i afrojnë strehë në Kurexhaj.
Pas një kohe, sipas Sadik Rrustemit, një mbamendës i rrallë i historisë familjare të Kurexhajve, “kur e kish pas martuar të vetmin djalë, Aliun, Fetah Kurexha i kish pas thirrë edhe në darsum”. Dhe, kjo familje, gradualisht jo vetëm u integrua me kurexhasit po, edhe filloi të ndihet kurexhas, ngase më nuk i afronte vetëm vendi, po edhe gëzimi, hidhërimi, e mira dhe e keqja, të cilat zunë t’i jetojnë e t’i përballojnë bashkë.
Vendbanimet që s’u trajtuan si fshatra
Kurexhajt dhe Terziajt, përkundër faktit që me rritjen e numrit të banorëve, lagjeve e, edhe të shtëpive në rrjedha të kohës nëpër vendbanimet e tyre, nuk do t’iu njihet statusi i fshatrave, as gjatë pushtimit otoman, e as më vonë nga Mbretëria serbo-kroate-sllovene( e njohur si Koha e Krajlit”. Me statusin e “mëhallëve” apo lagjeve si pjesë e Zhegrës, do të mbesin edhe pas luftës së dytë botërore, ( në pushtetin komunist të ish Jugosllavisë deri në fillim të viteve nëntëdhjeta të shekullit të XX-të), pavarësisht se nga viti 1921 këto dy vendbanime i plotësonin kushtet për t’u trajtuar si fshatra. Atë kohë në Kurexhaj ishin 22 shtëpi, ndërsa në Terziaj, 15 sosh, mbështetur në një regjistrimi zyrtar, gjë që e potencon edhe prof. dr. Jusuf Osmani te vëllimi numër 6 i kompletit të librave , “Vendbanimet e Kosovës”, sërish mbetën në nivelin e “lagjeve”, duke u privuar nga shumë të drejta që mund t’i kishin si fshatra, qoftë në regjistrim ndaras të popullatës, në përfaqësim, po edhe në investime.
Fatmirësisht, mosnjohja e këtij statusi për këto dy vendbanime nuk arriti ta pengojë shtimin e numrit të banorëve e me këtë, edhe “lindjen” e shumë nënlagjeve të tjera, të cilat vazhdojnë të shumëfishohen. Por, i ka ndëshkuar në aspektin administrative, duke u “shkrirë” brenda një tërësie më të madhe, thjeshtë nga shkaqe politike.
Bie fjala, në regjistrimet e popullsisë pas luftës së dytë botërore, vështirë ta dokumentosh numrin e saktë të banorëve, apo dhe shtimin, po edhe zvogëlimin e tyre, ngase procesi i migrimeve të brendshme të populates së këtyre dy vendbanimeve, nis të ndodh nga viti 1912 e këndej. Fillimisht në përmasa shumë të vogla, po nga fundi i viteve të dyzeta e këndej, ky proces zë e shtohet me trende të shpejta sa, në vitin 1990, në të dy këto fshtra s’ngelën as 10 shtëpi. E, nga fillimi i pranverës së vitit 1999, as edhe një shtëpi. Kjo, si pasojë edhe e luftës që ndodhi për çlirimin e Kosovës.
Mbetur pa infrastrukturë mjedisore, ( përkujesje rrugore, shëndetësore, arsimore dhe investime themelore për të ekzistuar si vendbanime, banorët e këtyre dy fshatrave arrijnë t’i mbijetojnë kohës në një ashpërsi malore, me kushte modeste të jetës, përkundër që pushtetet, cilido qoftë ai ( si thoshin pleqtë, “i turkit, i shkavit a i Titës”).
Drita e diturisë, këtyre fshatrave iu vjen pas dyqind e pesëdhjetë vite jetë në këto anë, në vitin 1953, një shkollë gjysmake fillore – katërklasëshe, nga e cila për 47 vite sa funksionoi nxori dhjetëra e dhjetëra breza shkollarësh nga të cilat, mbi 70 sosh morën diploma mësuesie e, pati edhe të tillë që u graduan edhe në doctor shkence.
Jo për mburrje, por për fakt, nga fshati Terziaj në fund të viteve 30-ta të shekullit XX, dalin dhe kuadrot e para me diploma fakulteti, vëllezërit Lazër e ndue Berisha, të cilët, nga viti 1941 – 1944 angazhohen nga Ministria e Arsimit të Mbretërisë Shqipërisë, përmes ministrit Ernest koliqi, në procesin arsimor të Kosovës. Lazri do t;jetë mësimdhënës I gjimnazit të Prishtinës si dhe atij të prizrenit gjatë gjithë kësaj periudhe, kurse Ndue Berisha, do të drejtojë konviktin e nxënësve në Prizren, ku kishte banuar dhe vetë akademik Mark Krasniqi, I cili nuk shkoi në atë botë pa iu falënderuar drejtorit të Tij (Ndues), për përkujdesjen dhe shelljen e mirë prej edukatori , përmes një faqeje gazete ( Bota sot, 2005).
Sa për dijeni, Lazër Berisha ishte dhe pjesë e kryesisë së punës në Lidhjen e Dytë të Prizrenit bashkë me mulla Idriz Gjilanin, po edhe pjesë e elitës intelektuale të Gjilanit ( 1939 – 1844) bashkë me Halim Oranën, Liman Stanecin, Mark Gashin, Esat berishën etj.
Të dy këta pishtarë të parë të arsimit nga Karadaku, do të ekzekutohen nga një “brigade partizanësh” të Shqipërisë, kah fundi i vitit 1944 në Prizren, nën etiketën e “bashkëpuimit me fsashistët” .
Elektrifikimi i vonuar
Në Kurexhaj e Terziaj, tek në vitin 1983 erdhi elektrifikimi. Por, shpërngulja në kërkim të një jetese më të mirë veç kish marrë hov. Sepse mungonin rrugët – komunikimet me botën, mungon kushtet elementare për jetë, si uji p.sh, përkujdesja shëndetësore, punësimi e … çka jo tjetër.
Pas rënies nga pushteti të kriminelit të shqiptarëve, Aleksan Rankoviç, kjo pjesë popullate e Kosovës, kish përfituar vetëm lirinë e lëvizjes, edhe ate, këtë “liri” mund ta gëzonin vetëm ato familje që ishin më të kamura, që kishin mundësi për t’I nisur djemtë e tyre në “kërkim pune”, fushave të Banatës, në Kkroaci apo dhe në Slloveni. E, nga viti 1968 e këndej, edhe jashtë is Jugosllavisë.
Mërgimtarët e parë që do të marrin botën në sy, për një jetë më të mire do të jenë ata të vitit 1968, Ukë e Rexhep Ukshini. Po, nuk do të mbesin të vetmit
Dhe kështu, brenda një afati kohor prej 10 vitesh, Terziajt do të ngelin vetëm në 4 shtëpi, e Kurexhajt në 10 -12 shtëpi. Të tjerë do të zbresin, o në Zhegër, o në Gjilan , po edhe kah Vitia e Ferizaji.
Në shkollën fillore katërklasëshe, nxënësit u pakësuan me të madhe, anise elektrifikimi i vonuar, nuk kreu punë. As shkolla, si një “dritë diturie”, aq e lakmuar në këto anë, ngjitas Rekës Ahit, që ndante dy fshatrat e një gjaku përmes një rrëkeje uji që s’di të ndaliur, nuk arriti t’i ndalë gjithë ata njerëz që e kishin dashur shumë, po që rrethanat e kohës i detyruan ta boshatisnin.
Në vitin 1998 iu vu dryri. Sot, s’ka nevojë as për dry. Ka ngelur vetëm në themele.
Të dëshmuar për atdhetarizëm
Që nga ngulitja në këto majë malesh – kodrash të Karadakut, pavarësisht skamjes e gjendjes së nderë ekzistenciale me të cilën përballeshin çdo ditë, kurexhasit e terziasit, në çdo periudhë kohore dëshmuan atdhetarizmin e tyre.
Mariirizimin për liri e për të drejtat e tyre ata e kishin dëshmuar edhe mes viteve 1839 – 1848. As internimi e mundimet deri në vdekje që ndodhën gjatë kësaj periudhe, nuk e zmbrapsën këtë fis, nga ajo që u takonte.
E ndjenin si detyrë, si nder, si një nga thirrjet më hyjnore për t’iu përgjigjur kushtrimeve për liri , sa herë që lëshonin zë, nga Lidhja e parë e Prizrenit (10 qershor 1878) e këndej.
Ishin pjesë e ushtrisë së Idriz Seferit edhe në kryengritjet e vitit 1910 – 12, në Grykën e Kaçanikut e në Çlirimin e Shkupit.
Anise digjeshin thuaja me themel pas çdo beteje të humbur, prapë nuk ndaleshin.
Në mbrojtjen e kufijve etnikë shqiptar i ke edhe në vjeshtën e vitit 1944, në krye me Hajdin Kurexhën.
Për tre muaj, Grykën e Karadakut, ku ishin të rreshtuar me shumë luftëtarë të tjerë, asnjëherë s’arritën ta thyejnë brigadat partizante që kishin mbledhur brenda vetes thuaja të gjitha bandat çetnike.
Pas rënies nën pushtetin komunist, nuk do të shuhet aspak ndjenja për liri e për shtet të pavarur. Në çdo përpjekje ilegale apo dhe në çdo pozicion publik ku ndodheshin, nuk mungonte angazhimi i tyre.
Në luftën e vitit 1998 – 1999 për çlirimin e Kosovës, djemtë e kësaj pjese i ke të rreshtuar në pikat më të zjarrta të luftës.
Heroi i betejës së Koshares ( pranverë, 1999) dhe sot hero i kombit, Agim Ramadani, rrjedh po nga kjo vijë gjaku, Rexhmemtë (Depcë).
Njëjtë edhe dy trimat, dy dëshmorët e kombit, Shaban e Sami Ukshini, të cilët u flijuan për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve të Kosovës Lindore .
Të gjitha këto që u përmendën dhe shumëçka që ende nuk u tha, (shkrua), janë motivi dhe nj arsye më shumë për t’i hedhur në një libër, i cili është në ardhje …
____________
Fjala paraprake e Monografisë,
TRUNGU I PËRBASHKËT I DY FSHATRAVE
( Kurexhaj e Terziaj)




