Anita HOXHA (Tiranë)
NUK DO T’PYES NË TË MUNGOJ
( Krijime të reja letrare nga profili i poetes)
Bie shi
Bie shi
E Qyteti fle.
Ëndrrave je përhumbur dhe ti
Vetëm vjeshta luan me gjethet atje,
Si luan me lodrat një fëmijë i lumtur.
Bie shi
E Qyteti fle.
E zbehur hëna në qiell
Rreth Shejntit të vet rrotullohet
Parkut tutje
Stoikë qêndrojnē stolat
Presin pranverën
Rikthimin e dashurive.
Bie shi
E Qyteti fle.
Këtë natê duke shkruar
Për një yll që ndrin i vetëm mbi re
Mbeta
Me yllin e poetit që vargun mban zgjuar…
MUND TË IKËSH NGA UNË PËR CA KOHË
Mund të ikësh nga unë për ca kohë
Në vetminë tënde të ngunjohesh diku,
As mos më shih, as do të vi të t’shoh
Me kujtimet e tua, lermë të pres këtu !
Nuk do të pyes në të mungoj
A ndër ëndrra në të kam ardhur në të gdhirë…
Unë, s’do shkruaj a më do, apo s’më do ?
Unë, as do tê them : – Hej, a je mirë ?!
Se unë për ty, dua me shpirt të vuaj…
Dhe vuajtjes i kam vënë emrin tënd !
Copëza poezish, ulem, nis e shkruaj…
Si aktore në skenë, i recitoj në çdo vend !
Mund të ikësh nga unë, për ca kohë,
Ndoshta pak ditë…ndoshta dhe pak muaj !
Ndoshta mërzitesh, ndoshta pran më do…
Mê cmënd malli ytë, ndaj lermë të vuaj !
KUR TË IKËSH…
Kur të ikësh larg, mes zhurmës, pa kuptim,
Mos u trishto, të ndjek pas muzikë e shpirtit tim…
Kur pemëve të pushosh lodhur nga vetmia,
Më jep vetëm një zë, fluturim do të vija…
Kur i vetëm do të shohësh, me lot perëndimin
E di, në shpirt do të mbash si medalion, pendimin !
E malli do të këpusë, gjunjët, që e lë shtëpinë
Kur mijëra zogjë sheh qiellit, si të jenë pelegrinë…
Kur të jesh larg nga unë, të na ndaj qiell e det,
Zgjati krahët si pulëbardhë përqafimi im të pret!,
Nëse një ditë, s`do gjesh ti dritën e kthimit
Ruam në zemrën tënde si lulen e kujtimit!
FOTO E VJETËR
Më mbajti zgjuar njē foto e vjetër,
Ne të vegjël, e prindërit në mes
Nostalgjike, më ktheu në kohë tjetër
E vështroja me ëndje, për çdo mëngjes..!
Si medalion, murit varur qëndronte,
Sa lumturi kishim, mendova me vete…
Loti brilant mbi xham pikonte,
Mall i madh zemrën e mbërthente !
– Ku janë vajzat, që luanin shtëpisë,
Ai djali i vogël, vallë ku mbeti, ku ?!
Përdore mora kujtimet e fëmijërisë,
Të shëtis me to, në lulnajë, diku !
– O Zot, u luta, kthemi ato vite, përsëri !
Prindërit, t’na shtrëngojnë dorën fort…
Për ta do mbetemi, ata të vegjëlit, fëmijë…
Trëmbemi akoma, nga e egra botë !
Shtëpia e prindërve si një muze…
Kujtimet si relike na buzëqeshin
Netëve magjike, rreth fotos mblidhemi ,
Supeve mbi njëri – tjetrin kokën e mbështesim…!
MOS KËRKO
Mos kërko, të kthehemi bashk, përsëri
Vite me radhë luajtëm të dy atë lojë,
Unë betohesha për Zot e Perëndi…
Si ti askush, s’mundet të më dojë !
Por atëherë dashuria ishte e verbër,
Përqafimit tënd sa e bukur dukej bota..
Nga turpi puthje vizatoja, t’i nisja në letër,
Të dua të shkruaja, përjetësisht e jotja !
Mos kërko, të kthehemi bashkë, përsëri !
Një përrallë, që vetes ia kam treguar gjatë…
Flokët më janë thinjur, as ti nuk je më i ri,
Zjarrin që e shuan koha, s’do të ndizet prapë !
Ca grimca vajzërie, kanë mbetur tek unë,
Buzëqeshja që të çmendëte, është akull e ftohtë !
Dritareve për ty s’mendohem e pa gjumë…
Ndonjeherë ndarjet vijne bukur në këtë botë!..
KOHË MË VONË
Kohë më vonë, ndoshta shumë vjet
Atëherë kur shpinës kujtimet të më flenë,
Do shfletoj librat e mi si bën çdo poet,
Me duart që dridhën mbi një laps a penë.
Do kujtoj kohën, kur shkrova çdo varg,
Sa herë mes tyre,frymë mora thellë,
Vjeshtave kur shtronte, gjethe në park
Pranverave kur dallëndyshet kishte sjellë.
Sa herë malli shpirtin të ma mbërthejë,
Për puthjet lënë buzëve, për zjarrin e shuar,
Për dashuritë që u ikën e mbetën sall rrëfenjë
Përherë syve me lot do të qaj kohën e shkuar !




