Ajo i ka saktësisht 12 vite e 245 ditë dhe pikërisht këtë të diele në fitoren e KV Drita ndaj KV Gryka 3:0, ka debutuar në ekipin e parë të KV Drita, kampione e shumëfishtë e Kosovës në volejboll. Megi Bislimi, ka bërë historinë si lojtare që në moshë kaq të re, duke qenë nxënëse e klasës së shtatë në Shkollën Fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan, shkruan kryelajmi.com.
Shumëkujt do t’i dukej që kjo vashë e re, rastësisht i është rrekur lojës së volejbollit, por për njohësit e sportit në Gjilan gjithsesi se u kujtohen lojërat e mrekullueshme të prindërve të saj, Arben Bislimi, kampion i Kosovës në dy sporte, në basketboll e volejboll dhe Mimoza Shkodra – Bislimi, fillimisht atlete, më pas hendbolliste e së fundi edhe lojtare e njohur e volejbollit. Të dy prindërit e Megit janë pedagogë të Kulturës Fizike dhe Sportit.
Ndonëse e re në moshë, Megi Bislimi për kah shtatlartësia nuk dallon nga lojtaret e tjera, bile është ndër më të gjatat në ekip dhe pritet që në të ardhmen të jetë ylli i volejbollit gjilanas e kosovar. Megi ka trashëguar shumëçka nga prindërit e saj, shtatlartësinë, dashurinë për sportin, punën e palodhshme dhe besimin se do të arrijë majat e suksesit.
Megi Bislimi, debuton pa i mbushur 13 vite.
Prindërit me vëmendje përcjellin paraqitjen e vajzës së tyre: Arben dhe Mimoza Bislimi
Trajneri Lorik Ilazi, që i ka dhënë besimin kësaj lojtareje të re, ka theksuar se Megi Bislimi pritet të jetë ndër lojtaret më të dalluara në të ardhmen, andaj ajo nga dita në ditë do të gjejë hapësirë të mjaftueshme në ekipin e Dritës./kryelajmi.com/.
Falë punës së tij dolën shume lojtare të reja: Lorik Ilazi, kryetrajner i Dritës.