Sportet me dorë

ISH-LOJTARI I DRITËS ERION BAJRAMI PO SHKËLQEN ME DEYA SPORT NË ELITËN E VOLEJBOLLIT BULLGAR

Volejbollisti kosovar Erion Bajrami po kalon një sezon mbresëlënës me skuadrën Deya Sport në elitën e volejbollit bullgar, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të dalluar të kampionatit.

Pas 11 xhirove, Deya Sport ka grumbulluar 16 pikë dhe po synon me ambicie kualifikimin në play-off, ndërsa kontributi i Bajramit po vlerësohet lart si nga shtabi teknik, ashtu edhe nga analistët e kampionatit.

Në 11 ndeshje të zhvilluara, Erion Bajrami ka realizuar gjithsej 265 pikë, nga shënimet në lojë, shërbimet dhe bllokadat, duke u renditur ndër shenuesit më të mirë të elitës bullgare të volejbollit.

Sipas index score në listën e wing-spikerëve, Bajrami mban pozitën e dytë, menjëherë pas volejbollistit të njohur Todor Skrimov të skuadrës Levski, një tregues i qartë i nivelit të lartë që po paraqet kosovari.

Ish-volejbollisti i KV Drita dhe KV Peja, Bajrami u transferua gjatë verës në Bullgari, në atë që përfaqëson përvojën e tij të parë jashtë Kosovës. Vetëm 22 vjeç, volejbollisti nga Gjilani po dëshmon se është i gatshëm të konkurrojë dhe të shkëlqejë në nivele të larta evropiane.

Ky zhvillim pozitiv konfirmon rritjen e vazhdueshme të volejbollistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare dhe potencialin e tyre për të qenë pjesë e kampionateve elitare evropiane.

You Might Also Like