Gjilan

Akademia Universale e Paqes Globale nderon Lutfi Hazirin me çmimin Nelson Mandela

17 prill 2019  – Akademia Universale e Paqes Globale e OKB’së, e ka nderuar të martën kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, me çmimin Nelson Mandela, me motivacionin për promovimin e paqes në Gjilan dhe Kosovë.

Në ceremoninë zyrtare në Tiranë, çmimin ia ka dorëzuar Hazirit i deleguari i Akademisë Universale të Paqes Globale të OKB’së, Madhu Krishan.

Kryetari Haziri e ka falënderuar Akademinë Universale të Paqes Globale të OKB’së për nderin që ia kanë bërë, ndërkaq ka theksuar se ndihet krenar që ky është çmimi i katërt më i rëndësishëm ndërkombëtar për të.

“Këtë çmim ua dedikoj qytetarëve të Gjilanit, të cilët në katër palë zgjedhje lokale ma kanë dhënë besimin që t’iu prijë atyre. Gjilani, në vitin 2014 është shpallur si Qytet i Paqes nga ana e Parlamentit Europian. Jemi qyteti ku që e promovon tolerancën e dialogun ndërfetar dhe ndëretnik dhe për neve diversiteti është vlerë. Faleminderit shumë Akademisë Universale e Paqes Globale dhe të deleguarit z. Madhu Krishan për vlerësimin. E falënderoj, po ashtu, edhe Dr. Shefki Hysa, guvernator i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet”, ka thënë Haziri.

Këtë ngjarje e ka përshëndetur edhe Petro Koçi, zëvendësministër i  Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë.

You Might Also Like