Aktivitete policore në kuadër të planit operativ ,,Goditja 2023’’
Gjilan, 12 gusht 2023
Policia e Kosovës, Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike në vazhdimësi po ndërmerr aktivitet duke hartuar e zbatuar plane operative dhe vepruese, me qëllim të ofrimit të sigurisë në përgjithësi dhe gjetjen e konfiskimin e armëve pa leje në veçanti.
Qëllimi kryesor i kësaj fushate është të reduktojë rreziqet dhe tensionet që shkaktohen nga armëmbajtja pa leje dhe të ndihmojë në forcimin e rendit dhe sigurisë publike. Në këtë drejtim, me qëllim të kujdesit për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve, Drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për krijimin e një ambienti të qetë, prosperuar dhe të sigurte për të gjithë qytetarët. Kjo arrihet duke bashkëpunuar ngushtë i gjithë komuniteti për tu arritur qëllimet e përbashkëta. Në rastet kur armët qarkullojnë në duar të personave të paautorizuara sjellin rreziqe të rënda për ne, familjet tona dhe të tjerët që na rrethojnë, rritet mundësia e krimeve duke përfshirë vrasjet, grabitjet dhe veprat e tjera të kriminalitetit.
Konfiskimi i armëve pa leje është prioritet i yni ku synojmë stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm e normal për të gjithë qytetarët.
Duke dashur të ofrojmë një pasqyrë rreth aktiviteteve të ndërmarra, Drejtoria rajonal e Policisë Gjilan ka kontrolluar lokale, automjete e qytetar me ç’ rast po ofrojmë disa të dhëna statistikore:
Bazuar në të dhënat dhe raportet tonë mbi zbatimin e planit operativ ,,Goditja 2023’’ që nga data 08.08.2023 deri me datën 11.08.2023 janë kontrolluar njëzet e pesë (25) lokale, janë kontrolluar njëmijë e gjashtëqind e katërdhjetë e nëntë (1649) automjete, legjitimuar njëmijë e nëntëqind e pesëdhjetë e pesë (1955) persona, konfiskuar katër (4) armë dhe arrestuar e dërguar në mbajtje trembëdhjetë (13) persona.
Rreth luftimit të kësaj dukurie duhet aktivitet i përbashkët i institucioneve relevante në vend. Policia do të vazhdojë aktivitetet duke hartuar e zbatuar plane operative, duke ndërmarrë fushata vetëdijësuese dhe për të pasur suksese më të mëdha fton të gjithë qytetarët për bashkëpunim në këtë drejtim.
Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan mbetet e përkushtuar për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurte për të gjithë qytetarët.