Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, i ka bërë një vizitë Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, ku nga afër është njoftuar me punën që bëhet në këtë shkollë elitare në Gjilan. i pranishëm në këtë takim ka qenë edhe drejtor i sapoemëruar i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica.
Fillimisht Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka theksuar se ky gjimnaz ka mbi 1200 nxënës me mësim në gjuhën shqipe, derisa tri paralele me mësim në gjuhën turke kanë 16 nxënës.
Nazim Gagica, drejtor i Arsimit, ka theksuar se ky është takimi i tij i parë pas marrjes së detyrës së re dhe ka shtuar se gjimnazi ka një infrastrukturë të mirë, ka diversitet dhe ka edhe nxënës në gjuhën turke. “Gjimnazi Natyror ka nxënësit më të mirë dhe drejtoria do t’i identifikojë problemet nëse ka të tilla dhe do të shihen edhe kërkesat, me qëllim që të rritet cilësia në mësim, kurse nxënësit me mësim në gjuhën turke janë vlerë për ne”, ka thënë Gagica.
Edhe Agim Asallani, zëvendësdrejtor, ka thënë se Gjimnazi ka nxënës shumë të mirë, kurse edhe kuadrin e ka të mirë, por ka kërkuar që këtyre nxënësve t’u ofrohen kushte më të mira për një arsim më cilësorë e më bashkëkohorë dhe që t’u ofrohet teknologji dhe literaturë më e avancuar.
Ambasadorja, Kivilcim Kiliç, ka thënë se ishin në vizitë në fshatin Miresh bashkë me kreun e Gjilanit, Lutfi Haziri dhe vizituan nxënësit dhe se ajo po sheh një miqësi në Kosovë, kurse ky vend është një model edhe për vendet tjera, sikurse që edhe shkollat e Kosovës janë një model i mirë.
“Kosova është një shtet i ri, por miqtë i ka fortë e në mesin e tyre është edhe Turqia”, ka thënë Kivilcim Kiliç, e cila ka vizituar edhe paralelet me mësim në gjuhën turke dhe është ndalë në bashkëbisedim me nxënës e mësimdhënës, duke i pyetur ata për shkollën, për të ardhmen e tyre dhe cilësinë në mësim.