LAJME

Asambleja e fëmijëve në Gjilan zgjedh kryesinë e re, Kurteshi-Emini premton mbështetje

Gjilan, 30 maj / Për nder të 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, të mërkurën në Gjilan, është mbajtur Asambleja e Fëmijëve, ku është zgjedhur kryesia e re. Kështu, gjatë dy viteve të ardhshme, Asamblenë e Fëmijëve do ta udhëheq Olt Syliqi, ndërsa nënkryetarë do të jenë Andrim Hajdari e Kanina Mehmeti. Sekretare u zgjodh Redona Syla.

Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, e cila i ka uruar fëmijët për ditën ndërkombëtare të tyre, ndërkohë që ka premtuar mbështetje e bashkëpunim me asamblenë e tyre.

“Do të jemi pranë jush në çdo çështje dhe çdo proces që është në interes të fëmijëve të komunës sonë”, ka thënë Kurteshi-Emini, duke nënvizuar faktin se Komuna e Gjilanit i ka filluar procedurat për miratim e rregullores për realizimin e të drejtave të fëmijëve.

“Kjo rregullore përcakton masat për realizimin e të drejtave të fëmijëve në sistemin e qeverisjes komunale dhe kontribuon në krijimin e një komune miqësore për fëmijë”, ka thënë ajo.

Kryetari i ri, Olt Syliqi, tha se kjo është sfida e parë serioze për të, por premtoi se do të angazhohet maksimalisht që këtë detyrë ta kryej me nder dhe të mos i zhgënjejë fëmijët.

Ndërkaq, kryetarja e deritashme, Festina Kurteshi, ka thënë për të ka qenë nder dhe privilegj që t`iu shërbejë fëmijëve të Gjilanit në mandatin e deritashëm.

Hanumshahe Rexhepaj, zyrtare për të Drejtat e Fëmijëve, tha se asambleja e fëmijëve përbëhet nga përfaqësues të shkollave fillore të komunës së Gjilanit dhe për herë të parë është themeluar në vitin 2014.

Shpresa Hajdari, drejtoreshë për Kulturë, Rini e Sport i ka njoftuar fëmijët me orarin e aktiviteteve që do të zhvillohen për nder të 1 qershorit.

Ky aktivitet është organizuar nga Njësia për të drejtat e njeriut, përkatësisht zyrtarja për Drejtat e Fëmijëve dhe Asambleja Komunale e Fëmijëve në Gjilan.

You Might Also Like