Mësimdhënësja e artit, Blerta Hyseni, me nxënësit e klasave të Vlll-a dhe të lX –a të Shkollës së Mesme të Ultë “Thimi Mitko” në Gjilan, ka filluar një fushatë tejet inovative për mbrojtje të mjedisit me anë të riciklimit të materialeve të ndryshme. Me këtë aktivitet, bashkë me nxënësit e saj, ajo i është bashkuar thirrjes globale për mbrojtjen e ambientit duke spikatur artistiken, nën moton: “Asgjë nuk përfundon në kosh mbeturinash”. Me këtë thënie, mësimdhënësja Blertë, e ka përgatitur një sfilatë gjithëpërfshirëse ku të gjithë nxënësit e klasave të lartpërmendura me krijimet e tyre me anë të materialeve të ricikluara e sollën porosinë kryesore se edhe mbetjet mund të shndërrohen në art. Sikur për organizime te tjera, edhe për këtë ngjarje, Blerta ka zgjedhur imagjinatën kreative të nxënësve me qëllim të ngritjes së vetëdijes, reformimit edukativ-arsimor dhe rrjedhimisht një rezultat për të gjithë se si ta ruajmë mjedisin ku jetojmë. Blerta thotë se reformimi i arsimit, dhe rrjedhimisht i tërë shoqërisë është shumëdimensional, ngase synon përfshirje në një qytetari aktive, e cila punon për të mirën e vendit. Së këndejmi, ky reformim mund shkallëzohet në shumë aspekte e shumë mënyra drejt synimit që të jetojmë më shëndetshëm në një mjedis të sigurt. Njëra ndër to padyshim është motivimi i gjeneratave të reja që nëpërmjet imagjinatës dhe kreativitetit të tyre t’i japin kuptim dhe ndryshim jetës komunitare, si kauzë kolektive. “Këtë ide e filluam gjate orëve të artit me shpjegimet dhe bashkëbisedat me nxënës për rëndësinë e temave vitale për jetën dhe transformimin e tyre në moto estetike, duke përfshirë edhe temën e aktivizimit për jetën e shëndetshme. Biseduam për dukuritë, mentalitetet, mënyrat e sjelljes e të menduarit, dhe varësisht nga tematikat propozuam edhe veprimet. Gjatë shpjegimeve e kuptuam se mbrojtja e mjedisit është gërshetim i shumë elementeve dhe veprimeve, ngase shpesh nxënësit, por dhe të tjerët, kur flasin për ndotjen, mendojnë kryesisht për tymtarët e mëdhenj dhe smogun nga minierat e thëngjillit, për tymin e veturave apo mungesën e parqeve, pa folur edhe për të tjera industri te dëmshme, siç janë ajo e mbeturinave të plastikës, ndotja e ujit, industria e modës, dhe kimikatet e mbetjet e tjera te rrezikshme. Ramë në ujdi se fatkeqësisht, te ne jo të gjithë e kuptojmë rëndësinë e riciklimit adekuat, e aq më pak krijimin e shembujve se nëpërmjet riciklimit do të mund ta shndërronim imagjinatën e nxënësve në art konkret”, thotë Blerta. Në këtë rrafsh, ajo sqaroi se shfrytëzimi i orëve të artit si zgjidhje kreative për ide të mbrojtjes së mjedisit nxori në pah qëllimin primar se në vend që t’i hedhim “mbeturinat” në kosh plehrash dhe ato të përfundojnë në vendgrumbullime, ne mund t’i ripërdorim dhe t’i shndërrojmë në art duke ndikuar kështu jo vetëm në mjedisin tonë, por edhe në shëndetin e të gjithëve. “Me dëshirën qe vetëdijesimin tonë për mbrojtje te ambientit ta ngritim ne një dimension me të artë pedagogjik e artistik, më lindi ideja që t’i organizoj nxënësit të dizajnojnë rroba artistike, përmes mbetjeve te riciklueshme të shisheve, kapakëve, dhe plastikëve të ngjashme, duke ju ndihmuar atyre që këto veshje të bukura t’i demonstrojnë edhe në publik. Kaluam ca kohë duke i shikuar edhe etiketat e veshjeve të cilat ndikojnë miqësisht për mjedisin, si shembuj zbukurimi njëherë të vizatuara, pastaj të qëndisura e te qepura si rroba artistike. Nga ky aktivitet nxorëm edhe këto moto shtesë: ‘Kur ricikloni –mjedisi zbukurohet’, “Kur ricikloni- reduktohen shpenzimet”, “Kur ricikloni-reflektoni”, theksoi ajo. Krejt ne fund, Blerta Hyseni mendon se është e thjeshtë të kontribuosh për mjedisin. Krejt çka duhet është dashuria, kujdesi, kreativiteti dhe mbështetja. Nuk ka nevojë për arsye të tjera. ‘pra, unë dhe nxënësit e mi ju ftuam te gjithëve të jeni pjesë e kampanjës sonë “Asgjë nuk përfundon në kosh mbeturinash!”, ngase besojmë se këtë kujdes, natyra na e kthen shumëfish”, përfundoi Blerta. Sfilatën e ndoqën ,nxënësit, prindërit, mësimdhënësit ,zyrtarët e arsimit dhe aktivistët e mbrojtjes së mjedisit.