Gjilan, 15 gusht 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me bashkëpunëtorët e tij kanë vizituar projektet të cilat tashmë janë përfunduar, por edhe ato që janë në punim e sipër, kryesisht në infrastrukturë, asfaltim të rrugëve, kanalizimeve, ujësjellësit dhe renovimeve.
Vizita në fshatin Bresalc, një lokalitet i tipit të shpërndarë është duke u punuar në disa rrugë njëkohësisht dhe në bazë të programit për këtë vit do të ketë projekte edhe në kanalizim dhe në rrugë të reja.
Kryetari Lutfi Haziri ka thënë se kjo është seri e vizitave nëpër të gjitha fshatrat e komunës së Gjilanit për të parë nga afër projektet që janë realizuar deri më tani dhe ato që janë në realizim e sipër.
“Jam duke vizituar të gjitha projektet e realizuara nëpër fshatrat e komunës së Gjilanit. Sot jam në fshatin Bresalc për të përcjellur nga afër punimet që janë duke u bërë. Programi i punës për këtë vit parasheh edhe shumë investime shtesë, kryesisht në infrastrukturë publike. Këtu në Bresalc jemi në fazën përfundimtare të investimeve, që përfshinë numrin më të madh të rrugëve në lagjen e xhamisë, dhe në të gjitha lagjet e këtij fshati të shpërndarë duke përfshirë edhe fshatin Ponesh që ne e trajtojmë në kuadër të investimeve”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai ka garantuar se buxheti do të jetë gjithnjë investiv dhe do të vazhdohet me projekte në rrugët e mbetura siç është lagja e “Shasivarëve”, për të vazhduar pastaj sipas planifikimit me punë edhe në ndërtimin e parkut të “Pajtimit” në lagjen e Gllamës, ku janë bërë pajtimi i gjaqeve në regjionin e Gjilanit.
“Jemi duke ardhur kah fundi i përmbylljes së projekteve infrastrukturore në këtë fshat të tipit të shpërndarë. Do të trajtohen të gjitha lagjet në këtë fshat dhe gjithnjë në kuadër të zgjidhjes së problemit sa i përket kanalizimit, ujësjellësit, ndriçimit dhe përfundimisht asfaltimit të rrugëve. Gjithashtu, do të bëjmë ndërtimin e “Parkut të Pajtimit”, aty ku janë falur gjaqet në lagjen e Gllamës dhe do të trajtojmë edhe projektin e renovimit të plotë të shkollës “Ibrahim Uriqi”, i sallës së sportit dhe investimin e hapësirave të jashtme të saj, atyre sportive, rekreative dhe të gjelbrimit”, ka thënë kryetari Haziri.
Kryetari Haziri ka thënë se pa i përfunduar të gjitha projektet e fshatrave ne nuk do të dalim nga Bresalci dhe nga asnjë fshat tjetër, duke e përfshirë në këtë lokalitet edhe Poneshin dhe të gjitha fshatrat e Komunës së Gjilanit.
Në emër të këshillit të fshatit ka folur Mustafë Selimi, i cili ka falenderuar kryetarin Lutfi Haziri për realizimin e projekteve, duke vlerësuar se këto invetime kanë ndikuar “Bresalci të merr pamjen e një qyteze të vogël moderne”.