Teatër

“Darka e thërrimeve” shfaqje me qasje psikologjike

Në natën e dytë të Festivalit të Dramës Kombëtare “Talia e Flakës” është dhënë shfaqja “Darka e thërrimeve”  me autor Refet Abazi dhe regji të Qëndrim Rijanit me aktorët Luran Ahmeti dhe Armenis Nokshiqi-Jovanovska.

Ishte kjo një dramë tragjike me skena trishtimi, me copëza erosi me mesazhe dashurie dhe urrejtje, përpëlitje apo luftë në mes të jetës dhe vdekjes, një teatër i vrazhdësisë nëpërmjet të cilit autori është përpjekur të zbërthejë vrazhdësinë e asaj që përpiqemi ta kuptojmë si proces kohor në të cilin duhet ta zhvillojmë atë që e quajmë jetë.

Edhe pas kësaj shfaqje është mbajtur debati, në të cilin dramaturgu nga Shqipëria Josif Papagjoni, tha se kjo ishte një dramë psikologjike, në të cilin autori hedh dritë në terr. Sipas tij teksti ishte i ndërtuar mirë dhe synon të hedh dritë brenda së vërtetës. Papagjoni ka gjetur konflikt në mes të tekstit dhe performimit. Ai tha se skena ishte e mirë, konflikti ishte i thuktë dhe me shumë qasje psikologjike.

Dramaturgu gjilanas Sadri Daku, tha të ketë parë ndryshime në krahasim me versionin të cilin e pati luajtur trupa e Gjilanit. Ai tha se ky ishte një tekst universal dhe me temë universale, andaj ky tekst do të mund të përkthehej edhe në gjuhë të tjera, kurse lojën e aktorëve e cilësoi të pëlqyeshme.

Dramaturgu tjetër, Agron Gërguri, tha se më i realizuar ishte personazhi i femrës se sa i burrit dhe se shfaqja pretendon t’i kthehet njeriut dhe rrugës së humbur kah njëri-tjetri.  Regjisorja Alma Poti përgëzoi kolegun e saj Qëndrim Rijani. “Unë e shijova, u drithërova dhe u përlota me këtë shfaqje”, tha ajo, derisa Shefqet Gjocaj, dramaturg gjeti se ky ishte më shumë teatër i fjalës se sa i veprimit.

Regjisori Miho Gjini, tha se kjo shfaqje pati një regji interesante, aktorë në drejtim psikologjik dhe skenografi të mbyllur. Ai tha se e admiron autorin, që i di sekretet e skenës e për artistët tha se ata kanë botë të brendshme dhe komunikojnë shumë mirë së bashku.

Në lidhje me shfaqjen është prononcuar edhe regjisori i ri Qëndrim Rijani, që tha se atë që ka dashur ta thotë ai e thanë aktorët në skenë, kurse regjisori i ka mirëpritur lëvdatat, por edhe kritikat që janë dhënë në lidhje me shfaqjen.

Në natën e tretë të “Talia e Flakës” do të jepet shfaqja “Aktori  në kuti“ me autor, aktor dhe regjisor Mentor Zymberajn.

You Might Also Like