Komiteti për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë (KGJKP) ka miratuar të martën propozimin-vendimin për lejimin e këmbimit të pronës komunale me pronë private, për nevoja publike si dhe propozimin-vendimin për shpalljen e interesit publik të disa pronave shoqërore që administrohen nga AKP-ja.
Refik Shala, kryesues i KGJKP ka thënë se në të dyja rastet kemi të bëjmë me prona që janë të nevojshme për zhvillimin e infrastrukturës publike dhe ka kërkuar mbështetjen e anëtarëve të kësaj trupe komunale për t`i rekomanduar në procedura të mëtejme.
Sqarime më të hollësishme ka dhënë Sali Fazliu, shef i Sektorit të Pronës në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër e Pronë. Ai ka thënë se për nevoja të ndërtimit të rrugës “Jugu 1”, pjesa e dytë si dhe rreth-rrotullimit në lagjen “Iliria”, me vendim të Kuvendit Komunal të vitit 2009, janë marrë disa prona private dhe një sipërfaqe prej 295 m/2 nuk është shpronësuar ende.
Meqë pronarët kanë kërkuar këmbim pronësor, është arritur marrëveshja që atyre t`iu ofrohet një sipërfaqe te tregu i gjelbër, e destinuar për ndërtim, ka thënë Fazliu, duke sqaruar se ky propozim është në pajtim me ligjin për shkëmbim pronësor, ndërsa vlerësimin duhet ta bëjë një komision i veçantë nga qendra.
Po ashtu, ai ka dhënë detaje edhe për propozimin tjetër, duke thënë se është bërë rilevimi i 33 zonave kadastrale në terren dhe ka rezultuar se një numër i objekteve komunale janë të ndërtuara në prona shoqërore ose private.
Sa u përket pronave shoqërore, që tani administrohen nga AKP-ja, Fazliu tha se Komuna duhet të shpreh interesimin e saj dhe përmes procedurave ligjore t`i kthej në pronësi të veten, si nevojë e domosdoshme për investime publike në të ardhmen.
Përndryshe, Fadil Hajdari (PDK) e ka përsëritur kërkesën e mëhershme për të sjellë në Komitet listën e pronarëve të rrugës qarkore, derisa Arjeta Rexhepi (VV) ka këmbëngulë në listën e uzurpimeve të pronës publike. Kryesuesi Refik Shala tha se kërkesat do t`i përcillen drejtorit të Kadastrës.