Gjilan

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan me aktivitete me rastin e shënimit të 27 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës

Gjilan, 04 shtator 2026

Me rastin e shënimit të 27 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan në kuadër të projektit “Rreze drite në emblemën time” ka organizuar një sërë aktivitetesh të dedikuara për forcimin e bashkëpunimit me qytetarët, veçanërisht me fëmijët dhe të rinjtë.

Përgjatë 27 viteve të shërbimit Policia e Kosovës ka qenë e përkushtuar në përmbushjen e misionit të saj për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e jetës dhe pronës për të gjithë qytetarët.

Në kuadër të projektit aktivitetet e planifikuara nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan përfshijnë;

· “Porta e hapur”, vizita të shumta në Stacionet Policore nga nxënës staf i shkollave, zyrtar institucionesh e qytetarë të ndryshëm të cilët kanë pasur mundësinë të njoftohen me punën dhe përkushtimin e stafit policor dhe të shohin nga afër pajisjet dhe teknologjitë që përdoren për mbrojtjen e sigurisë;

· Aktivitete për sigurinë në rrugë duke realizuar patrullimit të përbashkët me nxënës me qëllim të përcjelljes së mesazhit se siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët;

· Takime me Këshillat Lokale për Siguri në Bashkësi (KLSP) me fokus në forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit me komunitetin si dhe shpërndarjen e kartelave informuese.

Përmes këtyre aktiviteteve, Policia synon që përvjetori i themelimit të mos jetë vetëm një datë përkujtimore, por edhe një mundësi për të qenë më afër qytetarëve.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan shpreh mirënjohje për të gjithë qytetarët, institucionet, shkollat, mësimdhënësit, nxënësit dhe partnerët e sigurisë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Policia e Kosovës gjithmonë në shërbim të qytetarëve!

You Might Also Like