Futboll

Drita i afrohet kryesuesve për titull

Drita seriozisht i është bashkëngjitur garës për titullin e kampionit, veçanërisht pas fitores tejet të vlefshme ndaj Feroniklit nga Drenasi me rezultat 1:0.

Pas një pjese të parë të baraspeshuar, Drita më mirë e ka nisur ndeshjen në pjesën e dytë dhe në minutën 50, në kohën kur po jepej një goditje nga këndi, në zonë të rreptësisë është rrëzuar Rexha i vendasve e menjëherë pas tij edhe Maliqi i mysafirëve. Gjyqtari Nuza, pas konsultimeve të vazhdueshme me anësorin, fillimisht i ka treguar kartonin e kuq kapitenit të mysafirëve dhe ka treguar në pikën e bardhë. Doli se Maliqi me qëllim e kishte qëlluar Rexhën, gjë të cilën më së miri do ta dëshmojnë xhirimet televizive.

Goditjen më të rëndë në lojën e futbollit nga pika e bardhë e dha Fidan Gërbeshi, i cili dërgoi Malokun në anën e majtë, kurse topin në këndin e epërm të djathtë të portës mysafire.

Ndonëse me dhjetë lojtarë në fushë, në pjesën tjetër të lojës Feronikli luajti shumë mirë dhe pati rast të mirë të barazojë, por Milicaj nuk e futi topin në portën e zbraztë. Edhe Drita ka dështuar në një rast identik, kur Rexha nuk e qëlloi portën e pambrojtur. Deri në fund të ndeshjes pati raste në të dy anët, por asnjëri nga ekipet nuk ia doli të shënojë.

You Might Also Like