Pas 3 xhirove pa fitore, Drita sot ka arkëtuar 3 pikë në ndeshjen ndaj Fushë Kosovës në Gjilan.
Të drejtuarit nga greku Akis Vavalis, vuajtën shumë për ta gjetur golin, por fitorja minimale 1-0 u arrit falë një goli të Besnik Krasniqit me kokë në minutën e 84’.
Pjesa e parë mes skuadrave u mbyll pa gola, pjesë gjatë së cilës në sy ra paraqitja mjaft e mirë e Armend Rugjit, portierit mysafir.
Në pjesën e dytë, presioni i Dritës u shtua, por Fushë Kosova mbahej mirë, deri në minutën e 84’, moment në të cilin vendasit e gjetën golin e fitores.
I sapo-inkuadruar nga banka rezervë, Yll Ibrahimi, krosoi mjeshtërisht nga krahu i majtë, e topin me kokë e çoi në rrjetë Besnik Krasniqi, lojtar i mirënjohur për kontributin e tij në fazën sulmuese. Ky gol doli të ishte vendimtar për Dritën, me epilogun final që në fund ishte 1-0.
Kështu, Drita tashmë i është rikthyer fitoreve pas 3 xhirove, kurse për Fushë Kosovën kjo ishte humbja e parë pas 3 xhirove pa humbje.
Xhiron që vjen, Drita e pret Niklin 74, kurse Fushë Kosova i shkon Ballkanit në Suharekë. Xhiroja e ardhshme luhet pas pushimit të kombëtareve.