Dy piktura të artistes së njohur gjilanase, Magbule Xhemaili do të jenë pjesë e Koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, e cila është pasuruar me mbi 60 vepra të reja nga 40 artistët e përzgjedhur përmes thirrjes së këtij viti për blerjen e veprave, të cilët kanë filluar dorëzimin e veprave në GKK.
Magbule Xhemaili, e cila është autore e shumë pikturave të njohura, frymëzimin e gjen në vendlindje, por jo në peizazhet e bukura që sjell natyra. Ajo frymëzimin e saj artistik e gjen në gjurmët që lë koha, në atë që njeriu me apo pa vetëdije e ka krijuar vetë, në mure e dyer. Të gjitha këto ide e motive, piktorja Magbule Xhemaili i shtjellon në pikturë, ngase qëllimi i saji është që ato t’i jetësojë, sepse koha do t’i dëmtojë edhe më shumë, ose do të vijë një kohë tjetër, dikush tjetër do të vendosë porosi të reja mbi ato të vjetrat.
Përzgjedhja e pikturave të artistes pamore Magbule Xhemaili nuk është e rastësishme, ngase ajo është fituese e shumë çmimeve vendore e ndërkombëtare, kur ka hapur me dhjeta ekspozita edhe jashtë Kosovës. Kjo arritje vije në vazhdën e sukseseve të kësaj artisteje, siç janë katër ekspozitat e fundit, në Prishtinë, Tetovë, Rozhajë e Hamburg, pastaj çmimi blerës në Galerinë e Gjilanit dhe suksese të tjera të shumta.
Ndryshe, në arsyetimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit është thënë se me një fokus të fortë në diversifikimin e koleksionit dhe duke përfshirë artistë dhe mediume të nënpërfaqësuara dhe të reja, blerjet e fundit përfshijnë vepra si nga artistë të njohur ashtu edhe në zhvillim dhe mbulojnë një gamë të gjerë te temave dhe mediumeve që variojnë nga skulptura dhe piktura te video dhe instalimet, punimet në letër, grafikat, fotografia, zëri dhe tekstili.
Këto vepra shihen si një mundësi për ta bërë koleksionin më të larmishëm, për të adresuar boshllëqet ekzistuese dhe për të prezantuar narrativa të reja që forcojnë veprat historike brenda koleksionit kombëtar.
Komisioni i jurisë profesionale për këto blerje është përbërë nga kuratore të shquara, përfshirë Övül Ö. Durmusoglu, kuratore, profesoreshë, HBK Braunschëeig (Bashkëkuratore, Autostrada Biennale), Hana Halilaj, kuratore, Galeria Kombëtare e Kosovës, Joanna Mytkoëska, Drejtoreshë e Muzeut të Artit Modern në Varshavë, Cathrine Nichols, kuratore, Hamburger Bahnhof – Nationalgalerie der Gegenëart (Kuratore në Manifesta 14), dhe Eriola Pira, kuratore dhe drejtoreshë e programeve, Vera List Center for Art and Politics, The New School.