ARSIMI

Elsa Kqiku e gatshme për Olimpiadën Botërore të Fizikës

Përzgjedhja e pjesëmarrësve në Olimpiadë Botërore të Fizikës për këtë vit ishte më sfiduese sesa në vitet e kaluara. 

Qysh pas mbajtjes se Garave Republikane të fizikanëve të rinj, Shoqata Kosovare e Fizikës organizoi përgatitje për dy Olimpiadat ndërkombëtare EuPhO dhe IPhO 2022.

Elsa Kqiku, nxënëse në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan vijoi çdo trajnim të organizuar nga SHKF me një motiv dhe vullnet të pa përshkruar për të përjetuar kënaqësitë që kishte kaluar në dy vitet e kaluara. Në këto trajnime u mbajtën ushtrime teorike dhe ushtrime eksperimentale në Fakultetin e Shkencave Matematikore Natyrore (Departamenti i Fizikës). Në fund të tyre më 04.06.2022 iu nënshtruan Testit përzgjedhës për IPhO 2022 (Olimpiada Botërore e Fizikës), ku në ekipin kosovar u përzgjodh pikërisht Elsa Kqiku dhe tre shokë të tjerë. 

“Kjo është hera e tretë që përfaqësoj shtetin tonë në Olimpiadë ndërkombëtare, pas pjesëmarrjes në EuPhO (Rumania) 2020, IPhO (Lituania) 2021, duke qenë përsëri e vetmja vajzë dhe ndër më e reja në moshë në ekipin kosovar”, thekson nxënësja Elsa Kqiku, që ka shtuar se  këtë vit Olimpiada ishte planifikuar të mbahej në Bjellorusi, mirëpo për shkak të gjendjes aktuale, është vendosur të mbahet në formatin online. 

“Uroj ta përfaqësojë shkollën, komunën dhe shtetin tonë në mënyrën më të mirë dhe t’i bëj edhe më shumë krenarë ata që më përkrahin çdo ditë e më shumë !”, ka thënë nxënësja e shkëlqyer Elsa Kqiku, e cila është e përgatitur për këtë garë.

You Might Also Like