Gjilan

“Flaka e Janarit” vazhdoi tutje me aktivitete në fushën e enigmatikës-gjëzëtarisë

Gjilan, 28 janar 2024  / Manifestimi Kulturor Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2024”,  ka vazhduar këtë të diele me aktivitete në fushën e enigmatikës-gjëzëtarisë.

Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda”, nga Gjilani dhe Redaksia e Revistës së Enigmatëve, “Horizonti”, organizoi garat në zgjidhjen e Enigmave-gjëzave, ku garuesit-zgjidhësit e enigmave, patën rastin për t’i matur njohurit e tyre, duke e testuar veten, por edhe duke u argëtuar njëkohësisht, me lloje të ndryshme të enigmave-gjëzave si: fjalëkryq klasik, rebus, anagram, asociacion etj.

Shemsedin Kryeziu, kryetar i Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda”, tha se edhe këtë vit, ngjarja e veçantë nga fusha e enigmatikës, vazhdon të jetë pjesë e “Flakës së Janarit” dhe për këtë ka falënderuar, komunën e Gjilanit, Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sport, drejtorin Kushtrim Zeqirin, për mbështetje, të gjithë të angazhuarit në kuadër të Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda”, për kontributin e tyre në organizim të kësaj gare, si dhe të gjithë pjesëmarrësit garues.

Krahas garuesve nga Gjilani, Kryeziu ka falënderuar edhe pjesëmarrësit në këtë ngjarje nga qytetet tjera të Kosovës si: nga Gjakova, Mitrovica, Istogu, Prishtina si dhe nga Tetova, ndërkohë që një urim të veçantë iu është bërë njërit  prej themeluesve të Shoqatës “Ndre Mjeda”, dhe revistës Horizonti, Zijadin Hasanit,  njeriut më kontribut-dhënës në fushën e enigmatikës, i cila ka sot ditëlindjen.

Përndryshe, organizatori i kësaj gareje, ka përcaktuar edhe jurinë profesionale në vlerësimin e zgjidhjes korrekte te enigmave, nga ana e garuesve. Juria përbëhej nga: Skender Tullumi, Xhelal Salihu dhe Shemsedin Kryeziu.

Sipas Jurisë, tri vendet e para në disiplinën, zgjidhja e enigmave, do të shpërblehen me mirënjohje, derisa fituesit të vendit të parë (kampioni), do t’i ndahet plaketa tradicionale e “Flakës së Janarit 2024”, porse dorëzimi i saj do të bëhet natën e fundit të këtij Manifestimi kulturorë, ku edhe do të organizohet Gala Mbrëmja, e cila përmbyllë manifestimin e sivjetmë të “Flakës së Janarit 2024”, andaj edhe sot nuk u bënë

të ditur emrat e fituesve.

Përndryshe, pas garës së mbajtur, organizatori ka paraparë edhe një tryezë, ku do të debatohet për enigmatikën dhe të arriturat e saja në kohë, (enigmatika, dje, sot dhe nesër) si dhe promovimin dhe shpërndarjen falas të revistës “Horizonti”, numër 132, botuar enkas për ketë manifestim dhe të librit: “Rrokjekryqe 5×5 dhe 6×6”, të Zijadin Hasanit.

You Might Also Like