Futboll

Fusha te Shkolla “Selami Hallaqi” rritet dhe bëhet me bari sintetik

Qytetit të Gjilanit i është shtuar edhe një fushë me bari sintetik e në të cilën do të mund të zhvillohet e luhet futbolli i madh.

Dikur, bartëse e aktiviteteve të sporteve të ndryshme në kohë të okupimit, Shkolla Fillore “Selami Hallaqi” pati rëndësi të madhe në mbijetesën dhe zhvillimin e sportit e më pas aty lindën edhe shumë talente, sidomos të Shkollës së Futbollit, kurse tashti, pikërisht në atë vend është duke u punuar me të madhe dhe fusha e vogël po zgjerohet dhe po adaptohet për t’u luajtur futbolli i madh. Sipas parashikimeve kjo fushë do t’i ketë mbi 80 metra gjatësi dhe 40 gjerësi, që është e mjaftueshme që aty të luajnë kategoritë e reja.

Pa dyshim se një kontribut të madh në realizimin e këtij projekti e kanë edhe deputeti Luan Aliu, i cili që nga fillimi e ka shtyrë këtë projekt përpara, mandej profesorët e kulturës fizike dhe sportit në SHF “Selami Hallaqi” Veton Xhemajli e Afrim Mehmeti, sikurse edhe të gjithë punëtorët që në këto ditë me vapë po punojnë në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Ndryshe, këshilltari komunal, Arbër Musliu, nga radhët e VV-së, ka theksuar se kjo fushë ka një rëndësi të veçantë në historinë sportive të Gjilanit, duke qenë vendi ku shumë sportistë filluan karrierën e tyre.

“Shumë gjenerata kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre sportive në këtë fushë. Ishte një vendtakimi i përditshëm për të rinjtë, nxënësit, mësuesit, sportistët dhe dashamirët e sportit.

Nga një fushë me beton po shndërrohet në një fushë moderne me bari sintetik, ky transformim do ta bëjë fushën më të madhe, më të përshtatshme për organizime të ndryshme sportive e cila do të përdoret nga shkolla”, ka thënë ai.

Ndryshe, bari sintetik që po vendoset në këtë fushë është ai që më herët ka qenë te fusha, ku zhvillohen garat kampionale për të gjitha ekipet gjilanase.

Një fushë me bari sintetik, por në përmasa më të vogla është duke u ndërtuar dhe në përfundim e sipër edhe në Shkollën “Esat Berisha” në Llashticë, e cila pos për nxënës do të jetë tejet e rëndësishme edhe për komunitetin e këtij fshati. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like