KRONIKË E ZEZË

Gjilan: I mituri me drapër ia preu dy gishta 27-vjeçarit

Një i mitur është arrestuar dje në Gjilan, pasi që i njëjti së bashku me një person tjetër, dyshohet se ia preu dy gishta një 27-vjeçari shkaku i një borxhi prej 10 eurosh.

Policia për rajonin e Gjilanit, në një përgjigje për Telegrafin, ka dhënë detaje të tjera lidhur me këtë rast i cili ka ndodhur më 22 tetor të këtij viti.

Në përgjigjen e tyre thuhet se deri te rasti erdhi si pasojë e borxhit prej 10 eurove, ku i dyshuari i mitur F.I – 17 vjeçar pas një debati verbal e godet me drapër viktimën R.A -27 vjeçar, ku viktima në vetëmbrojtje e ngritë dorën dhe i dyshuari pas goditjes arrin t’ia pres (dëmtoj) dy gishtat e dorës viktimës.

“Në lidhje me rastin “Lëndim i rëndë trupor” i cili ka ndodhur më datën: 22.10.2022 në Gjilan në mes të dyshuarit (i mitur) F.I.(2005) dhe viktimës R.A.(1995). Shkaku i kësaj ngjarje dyshohet të jetë borxhi në vlerën prej dhjetë (10) euro. Pas një debati verbal i dyshuari e godet bashkë me një shok të tij viktimën me grusht e pastaj e nxjerr një mjet të mprehtë (drapër) për ta goditur viktimën në qafë mirëpo viktima në vetëmbrojtje e ngritë dorën dhe i dyshuari pas goditjes arrin ti ja pres (dëmtoj) dy gishtat e dorës viktimës dhe nga ky rast i dyshuari ka ikur në drejtim të panjohur”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Gjilanit.

Më tej policia ka njoftuar se i dyshuari ka qenë në arrati deri dje kur edhe është bërë arrestimi i tij.

“I dyshuari ka qenë në arrati deri më datën: 12.12.2022 kur ashtë arrestuar nga Njësia e Hetimeve Stacioni Policor Gjilan dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari ndalohet në kohëzgjatje prej 24 orë për rastin “Lëndim i rëndë trupor””, kanë deklaruar nga Policia.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Gjilanit ka konfirmuar për Telegrafin se ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit të mitur F.I dhe se është në pritje të vendimit të Gjykatës.

“Ju njoftoj se lidhur me këtë rast për dy persona kanë filluar hetimet dhe atë për një të mitur dhe një person tjetër i moshës madhore. Ndërsa për të miturin është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit në drejtim të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor””, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

You Might Also Like