Futboll

Gjilani mundi Feroniklin e dorëzuar

Pas barazimit ndaj Drenicës në xhiron e kaluar, Gjilani i është kthyer fitoreve në Superligën e Kosovës në Futboll. Këtë të diele gjilanasit kanë mposhtur Feroniklin nga Drenasi, që sipas të gjitha gjasave janë dorëzuar dhe në stinorin e ardhshëm do të garojnë në një ligë më të ultë.

Gjilani fund e krye, me gjysmë force dhe me përbërje të kombinuar ka qenë më mirë. Mysafirët nga Gjilani golin e parë e kanë shënuar që në minutën 10, kur pas harkimit të Torrasas, Krasniqi ndali topin me gjoks dhe me të parën topin e dërgoi në rrjetë.

Pjesa e parë është mbyllur me këtë gol të shënuar, kurse për një periudhë të gjatë gola nuk pati as në pjesëlojën e dytë.

Goli i dytë për Gjilanin erdhi në minutën e 80, kur Arbër Prekazi nga afërsia shënoi për 0:2. Nuk kanë kaluar as dy minuta, kur zëvendësuesi Edison Kqiku nga largësia me një gjuajte të fortë ka qëlluar këndin e poshtëm të portës vendase për 0:3.

Ekipi i Feroniklit, i përbërë kryesisht nga lojtarë juniorë, ia ka dalë të shënojë në minutën 88 për të zvogëluar rezultatin në 1:3, që ishte përfundimtar i kësaj ndeshje.

You Might Also Like