OPINION

Gjilani në kohë lufte

Shkruan:  Izmi Zeka

Gjilani atë kohë lufte i ngjante egërsisë historike Serbe me shpresën se një ditë do të vinte liria

Kur u zgjova në mëngjes pash se bora kishte mbuluar shtëpinë dhe më dukej sikur nata kishte zgjatur me vite.

Njerëzit vraponin  në qytet, për të takuar familjarët që nata i kishte shpërndarë  e nuk dinin ku ti gjenin.

Ishte kohë lufte  ku Arbeni kishte humbur familjen dhe ishte mbetur fill në shtëpi. Qyteti vlonte nga kolonat e njerëzve që merrnin rrugë nga mundin vetëm për të shpëtuar kokën.

Atje në male luftëtarët e lirisë luftonin me aq sa mundeshin me një pushkë në dorë për të mbrojtur qytetarët nga vrasjet që i bënte ushtria dhe policia serbe.

Ishte trishtim në vete kur shihje baballarët tanë, fëmijët të ngarkuar në traktor, vetura e nuk dinin se ku shkonin. Rrugët qonin aty ku edhe vdekja të priste nga ushtarë e policë kudo të uniformuar.

Eh sikur të kisha afër Edit Durhamin të përshkruante këto ditë e net që lapsi nuk i përshkruan ato pamje drithëruese të asaj kohe.

Kaloja aty te qendra e qytetit  dhe papritmas shohë Liridonin ku ushtarët e kishin lidhur e i rrahur sa nuk ka më ngase shihej fytyra e mavijosur. E ne vetëm shikonim dhe nga frika secili ikte nga mundet.

Gjilani i ngjante heshtjes së vdekjes. Lagjja ime ishte boshatisur pothuajse krejtësisht. Në shtëpitë dëgjoheshin vetëm krakamat e zogjve dhe qenëve që ishin mbetur pa zotin e shtëpisë. Aty këtu shiheshin familjarë që kishin zgjedhur të rrinin qoftë edhe me vdekjen e tyre e shtëpitë nuk i lëshonin.

Arbeni kishte dalë malit për të luftuar baskë me ushtarët tjerë.

Në mbrëmje mblidheshim e bisedonim se si do të kaloj kjo mbrëmje, dëgjonim për masakrat ane kënd kosovës ku UCK-ja luftonte pa nda pa çka që ishte një ushtri e vogël. Radiot i përcillnim me orë të tëra për të marrë diçka për aq sa mundesh të marrësh kur lëvizja ishte e kufizuar. Dëgjoheshin gjëra të ndryshme, fjalë të ndryshme.

Sa gëzoheshim kur dëgjonim Radio Kosovën e lirë. kur tregonte për përpjekjet e Ushtarëve të lirisë për të mos lejuar ushtrinë serbe të futet në disa zona. Në mes frikës ku jeta ishte në peshore të bëmat e luftëtarëve të lirisë na jepnin zemër edhe pse dita jonë këtu ishte përballje mes jetës dhe vdekjes.

Pas disa ditëve dëgjova se Arbeni kishte ra duke luftuar me forcat serbe. Sa dhimbje pata ato ditë sa nuk di çka të them tani. Ishte djalë i zgjuar ku edhe pse humbi familjen ai kurrë nuk u dorëzua. Më treguan se ai ishte në çdo betejë, në çdo vend ku luftohej. E kam menduar gjatë rënien e Arbenit  dhe disi jam ndjerë keq për rënien e tij .Ishte diçka e trashëguar nga familja të parët e tij. Thënin që babagjyshi i tij ishte ushtar i mulla Idrizit ku edhe ai ishte vrarë në burgjet serbe.

Ishte djalë i pashëm vetëm sa kishte kryer studimet dhe kishte një vit që punonte si mësues. I mbeti ëndrra e mësuesit në gjysmë.

Ditët sa vinin e bëheshin edhe më të rënda. Nata ishte errësirë. Afër shtëpisë sonë kishim disa fqinjë që netët i kalonim së bashku.

Babai kurrë një fjalë nuk e tha as edhe kur njëherë erdhën forca të shumta serbe në shtëpi. As edhe kur shanin e bërtisnin si të çmendur. Ndoshta koha e kishte mësuar apo ndoshta njihte mire shtetin serb dhe nuk jepej fare.

Ofshante vetëm kur vriteshin fëmijët, nënat, pleqtë  e pafajshëm. Për Arbenin kishte dhimbje të madhe. Thoshte se e ka njohur babin e tij dhe kishte dëgjuar për trimërinë e gjyshit gjatë luftës së dytë botërore.

Lotët i shkonin rrëke kur vriteshin luftëtarët e lirisë. Dhe shpesh na thoshte më herët se kemi për të fituar në momentin kur në Kosovë kemi një ushtri të bashkuar.

E kishim afër familjen Pireva e që mbaj mend profesorin e letërsisë  Bislim Pirevën i cili gjatë tërë kohës ruajti me fanatizëm harmonin dhe moralin e njerëzve që silleshin afër nesh. Nuk e shihje asnjëherë të ndryshoj  pamje edhe kur forcat militare shëtitnin në lagje si të çmendur.

II

Netët ishin të gjata. Kisha lexuar për luftërat. Po kurrë një të tillë se kisha provuar. Në krejt këtë dilemë jetësore ekzistonte shpresa se një ditë do të çlirohemi. Ushtria dhe policia serbe lëviznin pa nda rrugëve, vrisnin njerëz vetëm pse ishin shqiptarë. Këtu në lagje mbrëmjen e djeshme nga granatimet serbe u vra një vajzë e re ende pa i mbushur të 20 ta, në një fshat afër qytetit serbët kishin bërë masakër në një familje e shumë raste të tjera  sa që vdekja e natyrshme dukej zgjidhje për të mos bërë masakra ushtria serbe. Ishte kohë dimri. Secili në mënyrën e vet tregonte për ndodhitë . E vetmja shpresë për të jetuar kur dëgjonim lajmet se si luftëtarët e UCK-së po luftojnë për jetë. Dëgjonim për heroizmin e tyre, luftën e tyre në vendet të ndryshme të kosovës.

Mbase nganjëherë më dukej situata deri në absurd. Rrinim dhe silleshim sikur përballja me ushtrinë serbe të ndodhte diku në ndonjë vend tjetër. Ne ishim të pafuqishëm të bënim diçka. UCK-ja ishte malit. Ishim të pafuqishëm dhe vetëm shikonim se çfarë po ndodh apo kur po dëgjojmë se po vriten njerëz, sa fshatra u larguan në drejtim të Maqedonisë apo Shqipërinë.

Qyteti po zbrazej. Ankth kudo. Askush nuk e dinte se do të zgjohej në mëngjes. Nëna ime ruante qetësinë edhe kur rreziku ishte në derë. Edhe kur policia serbe hynë brenda në shtëpi edhe kur shtëpia jonë u granatua nga forcat serbe ajo mbante ekuilibrin familjar duke mos u shprehur kurrë për atë që po ndodhte. Jeta ndoshta e kishte mësuar apo kishte marr nga prindërit e saj e veçmas nga babi im që lirinë e deshën kur unë isha fëmijë.

Unë dilja qytetit disi i hutuar mbase edhe frika kishte humbur kuptimin nga unë dhe shoqja e jetës të cilën e kisha përkrah çdo moment. Çdo rrugë shihje ushtarë  e policë me armë. Edhe ajri dukej se po lëshon aromë lufte.

Njerëzit dukeshin si të humbur nga ajo që po ndodhte. Vrasjet ishin përditshmëri e jetës në Kosovë.

Granatimet nga ushtria serbe në shtëpinë tonë  dhe në familjet  Hajdari, Ymeri dhe Murtezi e gjithashtu edhe në fshatin Malishevë bënë që te krijohet një gjendje absurde që shkonim drejt vdekjes por ideja për të qëndruar dhe sado pak për të ndihmuar logjistikën e UÇK-së ishte motiv ekzistencial për tu përballur me gjendjen e krijuar.

Ajo mbrëmje kur granatimet e shkatërruan shtëpinë, ku u vra një fqinje e jona  dhe u plagosën disa, ishte një gjendje që vështirë të shpjegohet. Ankthi dhe frika se çka do të ndodh pas saj ishin prezente.

Nata e asaj mbrëmje , ku terri të zinte frymën, e ku njeriu nuk dukej fare sikur paralajmëronte egërsinë në ditët e mëvonshme.

Rrugët i ngjanin  heshtjes  përveç autoblindave, kamionëve me ushtarë që silleshin kudo dhe ngado si të çmendur duke  filluar me të madhe shpërnguljen  fillimisht të fshatrave e pasandej për të filluar edhe qytetin dukej se ishte plani i tokës së zbrazur.

Më kujtohet një ditë diku i fillim vitit 1999, dola në lagje për të parë çfarë kishte,aty nga ajo shëtitje  që përveç qenve, pulave  nuk shihje gjë tjetër, disi   më preku në shpirt ajo heshtje, ato shtëpi pazot, ato kafshë të mbetura rrugëve. Pamje jo e rëndomtë. Edhe po të ishe i fort si guri vështirë të përballoje atë zymtësi.

III

Mund të ketë qenë fillimi i marsit të vitit 1999 dhe shkollat punonin në Gjilan. Aso kohe unë jepja mësim në shkollën fillore Thimi Mitko. Në shikim të parë ose edhe nga një lexues i thjesht do të dukej absurd kur pjesa më e madhe e Kosovës ishte në luftë e ne bënim sikur nuk është duke ndodhur asgjë.

Shpjegimi për ato ditë mbase mund edhe të tejkaloj fantazinë njerëzore. Ditët dukeshin si fantazma. Gjilani i heshtjes dhe kolonave pambarim në rrugët që shihej pakthim i ngjanin jo njerëzimit por krijesa e quajtur serbi donte ti hante gjallë njerëzit. Çfarë absurdi i fund shekullit XX.

Kisha lexuar për luftërat, kisha dëgjuar prej gjyshit tim  për luftën e Kikës, masakrën e Gjilanit  edhe prej babait tim por kjo që shihja nga afër disi  më dukej që i kalonte përmasat e ndodhive të më hershme. Armiku ishte i njëjtë vetëm vitet ndryshonin.

Liridonin që para do kohe e kishin marrën policia dhe rrahur keq ai vdiq këtu në burgun e Gjilanit.

IV

Ishte kohë kur kishin filluar bombardimet e Nato-s. Lëvizjet e njerëzve po merrnin me të madhe rrugë që edhe kur i pyesje nuk e dinin ku po shkonin.

Mbaj mend në ato ditë të rënda isha në lagjen e Dardanisë. I kishin  larguar nga disa fshatra dhe në fushën e sotme që është sportive kishin filluar njerëzit të grumbullohen. Pamjet ishin trishtuese. Qytetarë që nuk dinin kah të ia mbanin. Shihej në sy frika dhe jo vetëm.

E mua më silleshin në kokë ata që kisha lexuar që nga pas koha e Skenderbeut  kur ishin bërë largimet masive e deri te programet e Vasa Çubrilloviqit për shpërnguljen e shqiptarëve.

Nëna, fëmijë, baballarët silleshin në dardani pa ndonjë takt dhe nuk dinin se çfarë do të bënin nga do të shkonin.

Posa u ktheva nga Dardania në rrugët kryesore të qytetit shiheshin kolonat e gjata me traktor, vetura e kamion të mbushur me njerëz që policia dhe ushtria u kishte dhënë urdhër për tu larguar nga fshatrat përndryshe ishin kërcënuar me vrasje dhe dëbime të dhunshme.

Ushtria dhe policia serbe pas largimit nga fshatrat të qytetarëve pasi merrnin çka gjenin me vlerë filluan ti digjnin shtëpitë.

U ktheva në shtëpi pranë familjes. Më treguan se kishte ndodhur  masakër në fshatin Llashticë dhe përveç saj ishte djegur e tërë familja. Nuk e dinim sa dhe si por me fjalë të dëgjuar  nga njerëz që kishin pa tmerrin me sy.

Ato ditë edhe dallëndyshet nuk dëgjoheshin. Netët ishin të rënda.

As edhe një minutë nuk kishte që nuk të ikte mendja çka do bëhet, si do të kaloj Gjilani nga ndonjë masakër sikur në pjesët tjera të Kosovës që dëgjoheshin në përditshmëri. I ngjante jetës së ferrit.

V

Një mbrëmje në Malishevën e Epërme te familja e Milaimit mbetet referenca ime se si duhet atëdheu. Edhe pse zymtësia shihej nga do kjo familje në kujtesën time kishte të veçantat e kohës. Një familje bujare e tëra ishte e angazhuar në Ushtrinë  Çlirimtare të Kosovës. Armët i kishin në korridor dhe fshati ishte i organizuar aq mirë ku bëhej roje në çdo cep. Ishin e tërë familja aty bashkë me fëmijët edhe pse një ditë më parë nga granatat serbe ishin vrarë dy veta dhe situata ishte tejet e rëndë.

VI

Takimi në familjen e Shefik Surdullit në Verbicë të Zhegovcit  po atë natë që mbërritëm në Malishevë të Epërme do të jetë pjesë ekzistenciale e jetës sime e cila për mua ka mbetur në kujtesë e sidomos me nënën e tij e cila ruante diçka nga trimëria e Shote Galicës edhe pse në moshë të shtyrë dhe nga koha që kishte bërë rrugë nga kalon liria.

Nuk ndjehej frika.

VII

Netët rridhnin panda. Mbrëmjet ishin të rënda sepse dritat pushonin në rrugët e qytetit. Mbaj mend se errësira mbretëronte kudo çka e bënte dhe e shtonte frikën edhe më shumë. Sikurse nata me terrin ashtu edhe egërsirat ushtarake e policore silleshin si të çmendur. Kur pafuqia shihej në sytë e çdonjërit që e shihje kundrejt dhunës që ushtrohej nga do të gërryente shpirtin dhe koha ishte në numërim.

Në njërën anë luftonte UÇK-ja  me aq fuqi sa kishte e në anën tjetër sulmonte Nato-ja nga ajri forcat serbe.

Sa e dhimbshme që ishte nga plumbat në lagjen e Popovices siç quhej atëherë (Kodra e dëshmorëve tani ) u vra një vajzë ende pa i mbushur të 16-ta në shtypin e saj. U vra vetëm pse ishte shqiptare.

Përflitej me të Madhe se Gjilani në fund të luftës pasi edhe ishte vijë kufitare  do të masakrohej si në gjithë historinë e ndodhur këndej. Përmendej shumë masakra e Gjilanit e cila sipas disa të dhënave kemi  diku mbi 5000 e diku thuhet deri në 8000. Krejt kjo kishte ndodhur kah fundi i vitit 1944-45.

Kur e shihja teatrin e qytetit, kinemanë, shkollat  mendja ime sikur nuk e pranonte këtë gjendje shkatërruese por edhe këtë gjenocid që bëhej mbi popullatën civile.

Si një i ri që isha ëndërroja shëtitjet, këngët e bukura të Vaqe Zelës, ëndërroja poezitë e Naimit e herë herë bareshën e Nexhmije Pagarushes. Mbase kjo ngaherë edhe ma lehtësonte situatën duke kaluar krejt në një kohë tjetër me ëndrra të mira.

Ne dhe nuk kishim rrugë për të zgjedhur. O të jemi të lirë e të luftonim ose të bridhnim nëpër botë apo edhe të vdisnim në duar të xhelatëve serbe.

Ushtria Çlirimtare kishte zgjedhur rrugën e cila ishte imponuar. Por popullata, civilët përballeshin me terrorin serb.

Kalonin ditët me frikën e vdekjes. Familjet në të shumtën e rasteve bëheshin bashkë në një shtëpi.

E ne pritnim lirinë abstrakte.

You Might Also Like