Gjimnastika Ritmike është një sport tejet atraktiv, por jo edhe aq i popullarizuar në Kosovë, ndërkohë që në botë shumë çmohet ky sport, që hynë në radhën e sporteve olimpikë.
Ky sport shoqërohet me muzikë, kurse garueset duhet të shfaqin koordinimin fizik, fleksibilitetin dhe baraspeshën, sikurse që paraqitja e tyre duhet të përmbajë edhe elemente baleti e vallëzimi. Është një sport gati se kryekëput femëror.
Në këtë sport, një kosovare po shkëlqen në Norvegji, ajo është një nxënëse e shkollës së mesme në drejtimin e mjekësisë në këtë shtet nordik, por që me prejardhje është nga Gjilani.
Në këto ditë vere, Elda Maliqi bashkë me familjen e saj po qëndron në Gjilan, kurse ajo thekson se punon shumë ushtron pesë herë në javë dhe njëkohësisht është edhe trajnere për gjeneratat e reja të moshës 8-10 vjeçare. Për momentin ajo është duke u stërvitur nga një trajnere nga Italia.
“Dua që të kontribuojë edhe për Kosovën. E dua shumë këtë vend dhe nuk dua t’a harrojë gjuhën shqipe”, thekson Elda që shton se në Norvegji është në Top 10 dhe në karrierën e saj disa herë është shpërblyer me vendin e parë, të dytë e të tretë.