Gjilan

Gratë e Gjilanit kërkojnë përkrahje për fuqizim ekonomik

Gratë e Gjilanit e kanë shënuar 8 Marsin me aktivitete pune, për të treguar se kjo nuk është një ditë feste, por është një ditë kur gratë duhet të kërkojnë avancim e pozitës së tyre në familje dhe shoqëri. Nën këtë moto, është mbajtur të mërkurën edhe Komiteti për Barazi Gjinore, ku janë miratuar rekomandime me rëndësi për barazinë gjinore.

Gjylshene Berisha, kryesuese e KBGJ, ka thënë Kosova e ka ligjin për barazi gjinore, që sipas saj, është mjaft i avancuar, por vetëm duhet të insistohet në zbatimin e tij.

Njëherësh, ajo ka thënë se KBGJ ka bërë rekomandime të rëndësishme për disa drejtori komunale, që kanë të bëjnë me mbështetjen e nismave dhe projekteve të grave ndërmarrëse, nëpërmjet funksionalizimit të zyrave përkatëse dhe krijimit të një kodi të veçantë buxhetor për këtë qëllim.

Rekomandimet e përmbledhura në formë të vendimit, janë nënshkruar sot nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili është treguar i gatshëm t`i mbështes gratë edhe në fuqizimin ekonomik.

“Qëllimi i këtij vendimi është zbatimi i masave të veçanta afirmative dhe specifike në arritjen e barazisë gjinore në komunën e Gjilanit”, ka theksuar Berisha.

Ndërkaq, drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Agim Zuzaku, ka thënë se do të mirëpresin çdo nismë që ka të bëjnë me barazinë gjinore, duke nënvizuar se që nga sot do të fillojë hartimi i strategjisë së grave ndërmarrëse, si udhërrëfyes për mbështetje të grave në biznes.

Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se gjendja sa i përket barazisë gjinore ka ndryshuar për të mirë, por duhet ende punë për të arritur nivelin e duhur.

Nëse femrat përbëjnë 50 për qind të fuqisë punëtore, ato nuk mund të jenë të papërfillshme në aspektin ekonomik, ka thënë Hajrullahu.

Përndryshe, Berisha ka nënvizuar me këtë rast edhe gatishmërinë e drejtorit të Bujqësisë, Ramiz Ramadani, për t`i favorizuar gratë ndërmarrëse në ndarjen e granteve dhe subvencioneve.

KBGJ është një trupë komunale që kujdeset për pozitën e femrës në shoqëri dhe avokon në vazhdimësi për avancimin e rolit të saj në politikë dhe vendimmarrje.

You Might Also Like