Arti pamor

Hapet ekspozita kolektive “Thirrem edhe mua”

Është hapur ekspozita kolektive e artit pamor “Thirrëm edhe mua”, edicioni i dytë në Galerinë e Arteve në Gjilan, përkrahur nga Drejtoria për Kulturë dhe Komuna së Gjilanit.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të muajit “Tetori rozë” i dedikuar për ndërgjegjësimin e rëndësisë së kontrolleve të hershme të kancerit të gjirit.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit Leonora Morina Bunjaku, ka folur para të pranishmëve në emër të kryetarit Alban Hyseni.
Ajo tha po vazhdon fushata sensibilizuese “Tetori rozë” për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.
“Hapja e ekspozitës së dytë kolektive e artit pamor me slloganin “Thirrem edhe mua” sjellë së bashku 46 artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Turqia e Islanda”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja e Gjilanit, apelon te të gjitha vajzat dhe gratë që t’i kushtojnë vetes vetëm pak minuta për të kryer kontrolle rutinë që mund të shpëtojnë jetë.
“E ke vetë në dorë të shmangësh rrezikun. Shko kontrollohu, bëje mamografinë, lëri për një moment punët e angazhimet dhe mendo vetëm për veten tënde. Sepse duke u kujdesur për veten, do të mund të kujdesesh edhe për familjen tënde, edhe për fëmijët e tu edhe për jetën tënde”, tha Morina Bunjaku.
Ajo më tej tha se nuk mund të ndalohet dot sëmundja e shekullit, por mund të parandalohet e sfidohet. Mjafton të jeni të kujdesshëm në kontrolle të vazhdueshme që janë falas në ambulanca e spitale.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës Arijeta Rexhepi, kërkoi nga vajzat e gratë që të kujdesen për shëndetin e tyre. Ajo kërkoi që gratë e vajzat që kontrollohen me kohë dhe të parandalojnë sëmundjen e kancerit të gjirit, ku shërbimet e kontrolleve janë falas në ambulanca e spitale dhe ku edhe shërbimet dita ditës janë më të mira.
Doktoresha Ramize Ibrahimi, tha se bashkërisht të gjithë duhet të jemi bashkë për të mirën dhe shëndetin dhe të merren këshillat e kontrollet nga mantelbardhët me qëllim të parandalimit, trajtimit dhe monitorimin e kësaj sëmundje-kancerit të gjirit.
Kuratorja Jalldëze Mustafa, tha se kjo ekspozitë kolektive e artit pamor sjell së bashku 46 artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Turqia e Islanda.
Sipas saj, kjo u bë si thirrje sensibilizuese për kontrollin e hershëm të gjirit dhe për mbështetjen e grave dhe vajzave.
Ajo tregoi se kjo ekspozitë ka edhe karakter shitjeje dhe të hollat e mbledhura shkojnë për trajtimin e grave të prekura nga kanceri i gjirit.
Ekspozita u shoqërua me tingujt të flautistëve dhe performancë artistike

You Might Also Like