Gjilan

Haziri falënderon KFOR-in për ruajtjen e sigurisë për të gjithë qytetarët

Gjilan, 20 dhjetor 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim pune komandantin e deritanishëm të KFOR-it në Kosovë, Antonello Catalano  dhe atë në ardhje, Nikola Perrone, të cilët i ka falënderuar për bashkëpunimin dhe angazhimin e madh në garantimin e sigurisë për qytetarët e Kosovës në përgjithësi dhe të Gjilanit në veçanti.

“E falënderoj KFOR’in për angazhimin maksimal që është duke e bërë për garantimin e sigurisë së qytetarëve në Kosovë dhe veçanërisht në Komunën e Gjilanit. Komuna e Gjilanit me të gjithë resorët e saj do të jetë bashkëpunuese absolute me të gjithë përfaqësuesit e KFOR-it për të mirën e sigurisë në Gjilan. Faleminderit z. Catalano për bashkëpunimin, ndërkaq komandantit të ri z. Perrone I ofroj bashkëpunimin maksimal”, ka thënë kryetari Haziri, pas takimit.

Antonello Catalano, komandanti i deritanishëm i KFOR-it, i cili përfundon misionin e tij, ka thënë se shërbimi ushtarak në Kosovë është për t’u mbajtur mend, sepse qytetarët janë gjithmonë bashkëpunues në aspektin e sigurisë.

Ai gjithashtu ka thënë se Kosova në përgjithësi është vend i sigurtë dhe i qetë, për çka e ka uruar edhe komandantin në ardhje që të vazhdoj me punë dhe angazhim në këtë drejtim nën udhëheqjen e KFOR-it.

E nga ana e tij, komandanti, kolonel Nikola Perrone, ka potencuar se misioni i KFOR-it është ruajtja dhe siguria e qytetarëve, njëkohësisht një bashkëpunim edhe me të gjitha institucionet e vendit duke përfshirë komunat, organet e sigurisë, Policinë e Kosovës, FSK-në etj.

You Might Also Like