Gjilan, 1 gusht 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorët, ka pritur sot në takim pune ministrin e Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, i cili shoqërohej nga ud. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha dhe përfaqësues të ICITAP, me të cilët kanë diskutuar veçanërisht me aspektin e lehtësimit të marrjes së shtetësive për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes.
“Zgjidhja e këtij problemi për qytetarët e Kosovës Lindore është njëra nga kërkesat tona të vazhdueshme dhe lajmi i mirë është se ministri Gashi në rrugë ligjore ka filluar të angazhohet. Diskutuam edhe për çështjen e zjarrfikësve që ne ofrojmë si Komunë, sikurse që e njoftova ministrin për Mekanizmit Referues dhe KKSB, si dy mekanizma ndërsektorial jashtëzakonisht të suksesshëm që i kemi”, ka thënë kryetari Haziri, gjatë adresimit para gazetarëve.
Kurse, ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka falënderuar kryetarin Haziri për mikpritjen dhe bashkëbisedimin lidhur me raportin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
“E informova kryetarin për gatishmërinë e mbështetjes në çështjet që lidhen me MPB, qoftë rregullimin e statusit të atyre që qëndrojnë pa dokumente në Kosovë, dhe në të njejtën kohë për problemet që lidhen ne fushën e sigurisë në komunikacion dhe sigurisë në bashkësi. Gjilani është komunë model që për disa fusha ka dhënë sukses të jashtëzakonshëm, siç bie fjala për Mekanizmin Referues në aspektin e deradikalizmit. Të gjitha sfidat dhe problemet që i ka Komuna në aspektin e sigurisë, ne do të mundohemi t’i japim zgjidhje”, ka deklaruar ministri Gashi.
Në fund, Haziri e Gashi kanë ngushëlluar familjen Arifi pas vrasjes së një të riu në Bresalc, duke apeluar që të mos përdorin armët personat e pa autorizuar.