Gjilan

Haziri: Në gala mbrëmjen humanitare u premtuan afro 100 mijë euro për studentët


Gjilan, 17 dhjetor 2018 – Në gala mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata III”, të organizuar nga Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Klubin Rotarian Gjilani për mbështetje ndaj studentëve, janë premtuar afro 100 mijë euro nga njerëzit e vullnetit të mirë, ka konfirmuar kryetari Lutfi Haziri, gjatë takimit publik me qytetarët e Gjilanit.

 

Duke folur për investimet, Haziri tha se 2018-ta ka qenë vit i brisht në kuptimin politik, por tha se për Komunën e Gjilanit ka qenë vit shumë i mirë.

 

“Autostrada është projekti më i madh për këtë zonë, i cili ka filluar dhe më gëzon fakti që Komuna ka punuar shumë në përpilimin e planit ideor. Përpos kësaj, investime të mëdha kemi bërë edhe në infrastrukturë në shumën prej 3.2 milionë euro”, tha Haziri, njofton Komuna  e Gjilanit me anë të një komunikate për media.

 

“Kemi filluar me ndërtimin e Rrugës së Kumanovës, vazhdimin e hyrje daljes Gjilan-Ferizaj,  rrethrrotullimin te Rruga e Prishtinës, rrugët, kanalizimin e ujësjellësin në disa lagje dhe në fshatra të Gjilanit. Po ashtu, e kemi bërë mbulimin e lumit “Mirusha” deri tek Rruga Qarkore, ndërkaq në pjesën e jugut kemi filluar me ndërtimin e shëtitores. Por, projekti më i madh që do të nis në vitin e ardhshëm është ai i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në vlerë prej 22 milionë euro”, është shprehur Haziri, të hënën.

 

Për arsimin tha se vazhdon të mbetet prioriteti kryesor i qeverisjes, ndërkaq në bujqësi ka përmendur se vlera e subvencioneve të përbashkëta me Ministrinë e Bujqësisë arrin në mbi 1.2 milionë euro.

 

“Përpos këtyre, kemi filluar me rindërtimin e stadiumit të qytetit, kemi përfunduar dy stadiume ndihmëse, sikurse edhe që po vazhdojmë me ndërtimin e QKMF’së. Ajo që më gëzon fakti është që përmes projekteve kemi mbështetur të rinjtë në aspektin e trajnimeve”, tha Haziri.

 

Duke folur për mbështetjen në aspektin e kulturës, kreu i Gjilanit ka pohuar se këtë vit teatri i qytetit është storie e suksesit.

“Mbi 100 mijë euro e kemi subvencionuar këtë institucione sivjet dhe menaxhmenti e ansambli rezident, e ka kthyer Gjilanin në qendrën më të madhe kulturore”, ka deklaruar kreu i gjilanasve.

 

Në këtë takim publik, kryetari Haziri pohoi se është krenar që Gjilani komunë është prijëse sa i përket partneritetit me donatorët që janë qeveritë e ndryshe të botës.

 

“Me Komisionin Europian, USAID, HELP, SIDA etj., jemi duke i implemetuar shtatë programe zhvillimore për Gjilanin në disa fusha dhe jam krenar që jemi komunë lidere edhe në këtë fushë”, ka thënë Haziri.

 

Në këtë takim publik kanë kontribuar me pyetje e rekomandime: Fehmi Ramabaja, Arjeta Maka, Arton Fetahu, Qëndrim Kqiku, Paris Starabaja etj, të cilët kanë marrë përgjigje nga ana e kreut të Komunës dhe drejtorëve komunal.

You Might Also Like