25 prill 2019 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka pritur në takim sot kryetaren e Kuvendit të Komunës Glattbrug të Zurich, njëherit deputeten kantonale të Zurich, gjilanasen Qëndresa Sadriu.
“Më gëzon fakti që kjo politikane e re ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në Zvicër. Qëndresa është krenaria e Gjilanit, e Kosovës dhe e bashkatdhetarëve tanë dhe po dëshmohet që gjenerata e tretë e bashkatdhetarëve ka marrë rol udhëheqës dhe vendimmarrës jo veç në sport, por edhe në politikë”, ka thënë Haziri pas takimit.
Deputetja e sapo zgjedhur kantonale në Cyrih, Qëndresa Sadriu, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe mbështetjen për fitoren e saj atje.
“Për mua ka qenë një arritje shumë e madhe personale, por besoj edhe për të gjithë ne si komunitet. Faleminderit për përkrahjen e madhe kryetarit Lutfi Haziri dhe bashkatdhetarëve tanë në Zvicër e Kosovë që kanë bërë shumë për këtë fitore timen”, ka deklaruar Sadriu.
Ndryshe, Qëndresa Sadriu, si përfaqësuese e Partisë Socialdemokrate, në mars të këtij viti, u zgjodh deputete në Parlamentin e Kantonit më të madh të Zvicrës, në atë të Zurich, njëherit edhe kryesuese e Kuvendit të Komunës Glattbrug.