Shkruan: Enver Sadiku
Fotot e bëra nga Afrim Kqiku – Foto Fari
Futbollistët ishin ndër të parët që i thanë jo lojës nën sundimin serb, kurse edhe në kohët më të vështira nën kushte okupimi ata nuk e ndalën aktivitetin duke luajtur nëpër fusha të improvizuara nëpër fshatra, në Livadhet e Malishevës e kudo tjetër, ngase dyert e Stadiumit për futbollistët shqiptarë ishin të mbyllura.
Me ardhjen e lirisë, 25 vite më parë pas gati një dekade, për futbollistët shqiptarë nisi një epokë e re, ngase tashti mund të frymohej e luhej lirshëm.
Futbollistët, Shtabi teknik dhe kryesia e Gjilanit menjëherë pas përfundimit të luftës.
Dy klubet gjilanase, rivaliteti i të cilave kishte nisur qysh para lufte, bashkërisht e me to edhe dy ekipe të tjera nga Anamorava mbajtën një turne në Stadiumin e Qytetit në Gjilan dhe pikërisht në këtë turne, pas katër kryendeshjeve të zhvilluara në Livadhet e Malishevës, është zhvilluar derbi i parë në kushte lirie në mes të Dritës dhe Gjilanit.
Ekipi i Dritës në derbin e parë të pasluftës në vitin 1999.
Disa ditë, pasi në Gjilan ishin futur pjestarët e UÇK-së dhe Forcat e NATO-s në Stadiumin e Qytetit në Gjilan është mbajtur një turne futbolli në të cilin kanë marrë pjesë katër ekipe, Drita, Gjilani, Kika dhe Uniteti. Ndeshjet janë luajtur vetëm me nga një pjesë, ku pas gjysmëfinaleve të luajtura në finale janë takuar Drita – Gjilani. Ndeshja ka përfunduar me rezultat të barabartë 1:1, kurse pas ekzekutimit të penaltive, Drita ka fituar me rezultat 4:3.
Në kohën e rregullt për Dritën kishte shënuar Bekim Isufi, kurse golin për Gjilanin e kishte shënuar Agim Kastrati. Ndonëse nga shumëkush është vlerësuar si ndeshje miqësore, ajo nuk ka patur një karakter të tillë, por ka patur karakterin e një turneu, e pas përfundimit të ndeshjes Dritës i ka takuar Kupa kalimtare./kryelajmi.com/.
Kapiteni i Dritës Ismajl Rashiti, gjyqtari Skender Hoxha dhe kapiteni i Gjilanit Blerim Sylejmani para derbit të parë të pasluftës.