Pas bojkotimit të seancës urgjente të Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga shumica e këshilltarëve, kryetari i komunës Alban Hyseni mbajti konferencë të jashtëzakonshme për t’i informuar qytetarët për bllokadën dhe mos miratimin e buxhetit.
I pari i Komunës së Gjilanit, tha se sot opozita i braktisi sërish qytetarët e Gjilanit duke bojkotuar pjesëmarrjen në seancën urgjente të Kuvendit Komunal.
“Mos miratimi i buxhetit për vitin 2025 po e ripërsëris se do të lë pa paga e në pasiguri totale 2 mijë e 419 punëtorë komunalë”, tha Alban Hyseni.
Kryetari i Gjilanit, theksoi më tej se edhe pse për shkak të “renovimeve të paplanifikuara” në sallën e Kuvendit Komunal, u detyruan ta mbajnë seancën urgjente në bibliotekë,
opozita zgjodhi bojkotin dhe bllokimin.
“Asnjë arsye nuk justifikon këtë papërgjegjësi. Ne do të thërrasim sërish seancë urgjente për nesër dhe lusim opozitën që të reflektojë, sepse në këtë rast pësojnë vetëm qytetarët e Gjilanit e qindra familje”, tha kryetari Alban Hyseni