Gjilan

Ismajl Kurteshi prononcohet pas dorëheqjes së Visar Ymerit

Pas dorëheqjes të Visar Ymerit nga të gjitha postet në subjektin politik Vetëvendosje, të cilën ai e ka bërë në një konferencë shtypi në Prishtinë, është prononcuar Ismajl Kurteshi, deputet në Kuvendin e Kosovës dhe sekretar organizativ në këtë subjekt politik. Prononcimin e tij, në faqen e tij në facebook  po e botojmë të plotë:

Dorëheqja e Visar Ymerit

Me keqardhje mora vesh lajmin për dorëheqjen e z. Visar Ymeri, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një komunikimin publik, nga pozitat drejtuese në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Për këtë dorëheqje njoftimi na erdhi me e-mail një orë para konferencës për shtyp, sa di unë, një vendim i tillë nga ana e tij nuk është diskutuar paraprakisht brenda asnjë organi të Lëvizjes, dhe as unë nuk e kam ditur më herët, edhe pse ushtroj detyrën e Sekretarit Organizativ.
Është e vërtetë se së bashku, si Lëvizje, kemi arritur sukseset që përmendi z. Ymeri, dhe për këtë i jam mirënjohës, ashtu si të gjithë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Por nuk mund të pajtohem me rrugën që e ka zgjedh Visari, Lëvizja i ka dokumentet (Statutin) dhe strukturat që përherë ofrojnë rrugëdalje.
Përkundër dorëheqjes së Visarit nga pozita e kryetarit, kam bindjen se Lëvizja do ta tejkaloi këtë situatë me pjekuri, duke e marrë parasysh edhe faktin se vendi është në vështirësi të shumta politike, e populli është në varfëri dhe gjendje të rëndë ekonomike. Prandaj qytetarët presin shumë prej nesh. Lëvizja do të vazhdojë të trajtojë me diskutime të hapura brenda organeve vendimmarrëse gjithçka që është në kompetencat e saj, sipas parimeve të demokracisë së brendshme.
Por më shumë se kaq, është koha të vazhdojmë me energji e vullnet përpjekjen tonë të përbashkët politike e historike, për përparim shoqëror e emancipim kombëtar.

Ismajl Kurteshi, 02. 01. 2018

 

You Might Also Like