Gjilan, 1 korrik 2019 – Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes Tregu, Avdyl Jerliu, ka thënë sot se në Gjilan po ndërtohet njëri nga tregjet më të mira në rajon, i cili pritet të përfundojë brenda tetë muajsh.
Ai tha se i kanë marrë parasyshë kërkesat e tregtarëve që të mos largohen krejtësisht prej Tregut të Gjelbërt derisa po zhvillohen punimet, duke shtuar se projekti po zbatohet pjesë-pjesë.
“Jemi në prag të fillimit edhe të “Tregut të Kafshëve” i cili do të ndërtohet në Velekincë dhe për këtë projekt janë siguruar mjetet financiare. Po ashtu, po punojmë insensivisht edhe për tregjet mobile dhe i kemi përcaktuar shumicën e lokacioneve nëpër lagjet më të mëdha të komunës së Gjilanit, të cilat do të jenë një lehtësim i madh për fermerët për plasimin e produkteve të tyre. Së shpejti do të ndërtohet tregu mobil te vendi i quajtur Bunari i Përlepnicës dhe pas tij të tjerët me radhë si në lagjen Dardania, Arbëria e Iliria”, ka thënë Jerliu, në një konferëncë për media, gjatë prezantimit të punës 6-mujore.
Ai ka konfirmuar se janë në përgatitje të ndërtimit edhe të tregut në Zhegër, ndërkaq po punojnë në ndërtimin e Tregut të Rërës, Tregun e Lëndëve Djegëse e Tregun e Veturave.
Kryshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje, Avdyl Jerliu, e ka falënderuar kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, për mbështetjen e madhe në realizimin e këtyre projkteve kapitale.