Gjilan. 29 janar 2024. Në kuadër të Manifestimit Mbarëkombëtarë “Flaka e Janarit”, në objektin e Muzeut të Qytetit është mbajtur një ngjarje e këndshme kulturore me vargjet dhe tingujt e Jusuf Gërvallës, në 42-vjetorin e vrasjes tinëzare të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës.
Nënkryetarja e Gjilanit, Leonora Morina – Bunjaku, me këtë rast në emër të kryetarit të komunës së Gjilanit, Alban Hysenit, ka thënë se po përmbushet synimi i “Flakës së Janarit” që të ofrojë para publikut vlera të mirëfillta kulturore dhe të arriturat origjinale të vitit të fundit në shtyllat kryesore të këtij manifestimi, duke nderuar janarët e flaktë dhe figurat emblematike. Nënkryetarja Morina – Bunjaku, ka thënë se “Këngët e Jusufit” janë vlerë në vazhdën e manifestimit, që e bënë Gjilanin qendër të kulturës në Kosovë.
“Në 33-vjetorin e “Flakës së Janarit” në Gjilani do të jetë i pranishëm edhe shkrimtari i ynë i njohur Ismajl Kadare, bashkë me bashkëshorten e tij e shkrimtaren Elena Kadare. “Flaka…” çdo ditë e më shumë po pasurohet”, ka thënë nënkryetarja Leonora Morina – Bunjaku, që ka falënderuar muzikantët dhe profesorët e pranishëm, sikurse edhe Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sporte, që udhëhiqet nga drejtori Kushtrim Zeqiri.
Fillimisht janë lexuar poezi të Jufuf Gërvallës e më pas këngët e këtij personaliteti shumëdimensional i kanë kënduar Mehmetali Arifi – “Do të kthehem nënë”, “Kënga e bilbilit” – Adhurim Rasimi, “Maji” – Hekuran Bllaca, “Vendlindjes” – Burim Demiri, “Njeri ku je” – Mehmetali Arifi, të përcjella nga Formacioni Orkestral në përbërje Mentor Latifi – Fizharmonikë, Burim Demiri – piano, Mehmetali Arifi – kitarë, Hekuran Bllaca – kajon, kurse me një vështrim kritik për këto këngë është paraqitur, profesori, publicisti e kritiku i muzikës , Sami Piraj, i cili ka thënë se Jusuf Gërvalla ka lënë një pasur të madhe të këngëve nga zhanri i muzikës së lehtë, të cilat përpos teksteve përmbajtjesore muzikore, shquhen edhe për pasuri të mëdha melodike, ritmike e harmonike, sikundër edhe për larmi tematike. Piraj është paraqitur me një vështrim për secilën këngë të Jusuf Gërvallës, e cila më pas këndohej e publiku, vështrimin, por edhe performancën i përcillte më duartrokitje të gjata.
E pranishme në këtë ngjarje kulturore, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, e bija e Jusuf Gërvallës, ka thënë se ishte ky një moment dhe jashtëzakonshëm ajo ka ndarë disa të pathëna, duke thënë se kënga “Maji” është më personalja nga të gjitha këngët e Jusuf Gërvallës. Ajo tha se në familjen e saj kishte me bollëk dashuri, shumë muzikë e shumë mall, për ata që ishin e ata që nuk ishin. Ajo ka shpalosur ngjarje nga familja Gërvalla, duke thënë se ai në dy vitet e fundit të jetës së tij kishte lënë veprimtarinë artistike e muzikore dhe ishte përqendruar me tërë qenien në veprimtarinë kombëtare. Ai mision të tijin e kishte bashkimin e të gjithë shqiptarëve në luftën e përbashkët kundër okupimit dhe për çlirimin e vendit.
“Sa më shumë që dëgjojmë për Jusuf Gërvallën lirik dhe të frymëzuar nga jeta, nga Duboviku, nga figura qendrore e tërë jetës së tij – nëna Ajshe, aq më shumë vërehet ai vullkan që ndodhi brenda tij që shpërtheu në forma krejt të tjera”, ka thënë Donika Gërvalla, që tha se ai gjithmonë e kishte parasysh nënën Ajshe, andaj kënga “Do të kthehem nënë” është shumë e veçantë. Ajo tha se më bukur se sa këtu ka vetëm edhe një rast t’a ngrisim këtë ngjarje edhe më shumë e kjo do të ishte në ditëlindjen e Jusuf Gërvallës, që së bashku të festohet më 1 tetor në Kullën e tij, aty ku jetojnë ata që e njohin edhe më mirë Jusuf Gërvallën.
Burim Demri, ka thënë se që nga viti i ardhshëm do të pasurohet kjo ngjarje me aktivitete të tjera muzikore, me mbrëmje të veçantë, koncert me këngët e Jusuf Gërvallës, në vitin tjetër me këngët e Jusufit dhe ata autorë që bënë këngë për Jusufin e së fundi edhe me këngë të reja që do të krijohen për Jusuf Gërvallën.
Aktivitetet e “Flakës së Janarit 2024” do të vazhdojnë me “Fest Flakën” dhe “Penën e Flakës”.