Klubi i Karatesë “Agim Ramadani” ka organizuar me sukses turneun e tretë ndërkombëtar në nderim të heroit të lirisë, Agim Ramadani. Për shkak të renovimit të palestrës sportive në Gjilan, gara këtë vit u mbajt në qytetin e Kamenicës, i cili u tregua mikpritës i jashtëzakonshëm për të gjithë pjesëmarrësit.
Ky aktivitet madhështor sportiv u zhvillua nën përkujdesjen dhe monitorimin e Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK). Në turne morën pjesë gjithsej 312 garues, prej të cilëve 176 ishin karateistë meshkuj dhe 136 karateiste femra, të cilët performuan në 391 paraqitje në dy disiplina: kata dhe kumite.
Në këtë turne morën pjesë 46 klube karateje nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova, të cilët me prezencën e tyre nderuan figurën e pavdekshme të heroit Agim Ramadani.
Gjatë hapjes së turneut, u theksua se Agim Ramadani ishte një trim mbi trima, një simbol i vendosmërisë dhe sakrificës për liri. Pa gjakun dhe përkushtimin e tij, u tha se sot nuk do të mund të organizonim aktivitete të tilla në një Kosovë të lirë dhe të pavarur.
Trajneri i KK “Agim Ramadani”, Shkëlzen Balaj, u shpreh i emocionuar për organizimin e suksesshëm të turneut dhe falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e tij.
“Falënderoj kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, dhe kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Falë tyre dhe të gjithë donatorëve, ky turne u mbajt për të tretën herë me radhë në mënyrën më të mirë të mundshme. Jam i nderuar që klubi ynë mban emrin e kolosit të lirisë. Do ta mbajmë këtë emër me dinjitet kudo që paraqitemi,” – tha trajneri Balaj.
Ai shtoi se të gjithë karateistët dhanë një kontribut të veçantë përmes paraqitjeve të tyre sportive dhe me frymën e Fair Play-t, duke dëshmuar edhe një herë se heronjtë tanë janë për t’u kujtuar dhe nderuar çdo ditë. Turneu u monitorua nga vetë kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Besart Baruti, duke garantuar korrektësi dhe nivel të lartë organizimi.