Mbi 30 xhudistë të Klubit të Xhudos “Gjilani” stërviten tri herë në javë për t’u përgatitur për garat e tyre, duke dëshmuar çdo ditë se do të kenë karriera të suksesshme në këtë sport. Nën drejtimin e trajnerit të palodhur Ibrahim Hasani dhe kryetarit të klubit, Esat Selimi, ky grup i talentuar ka treguar rezultate mbresëlënëse në gara vendore dhe ndërkombëtare, duke shfaqur një nivel të lartë profesionalizmi pavarësisht kushteve të vështira dhe mungesës së mbështetjes financiare.
Kryetari Esat Selimi ka theksuar vështirësitë e mëdha financiare me të cilat ballafaqohet klubi. Ai theksoi: “Komuna na ka ndarë vetëm 2,200 euro në vit, që nuk përmbushin as për së afërmi nevojat e klubit. Shumë herë jemi detyruar të mbledhim vetë fonde për të mos lejuar që këta xhudistë të dështojnë në garat e tyre. Apeloj tek bizneset e qytetit që të na ndihmojnë, jo vetëm klubit, por edhe këtyre talenteve që mos t’u shuhen ëndrrat që kanë për karrierën e tyre. Gjithashtu, u bëj thirrje prindërve që t’i sjellin fëmijët në klubin tonë. Ne do t’i përkrahim dhe do t’i ndërtojmë ata në frymën sportive.”
Trajneri veteran Ibrahim Hasani është shtylla kryesore e KXH “Gjilani.” Ai thekson përkushtimin e tij dhe të klubit ndaj xhudistëve të rinj: “Punojmë pandërprerë me kushtet që kemi dhe stërvitim talente të jashtëzakonshëm që shumë shpejt do ta përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, kemi nevojë urgjente për mbështetje financiare nga bizneset lokale, përndryshe, ëndrrat e këtyre talenteve mund të shuhen.
” Një ndër talentet më premtuese të klubit është Feroza Abazi, vetëm 10 vjeç, e cila ka shkëlqyer në gara vendore dhe ndërkombëtare. “Viti 2024 ka qenë shumë i frytshëm për mua. Trajnerët na mësojnë sekretet e xhudos dhe çdo ditë përparojmë përmes stërvitjeve. Unë dhe shokët e shoqet e klubit ndihmojmë njëri-tjetrin dhe u bëj thirrje biznesmenëve gjilanas që të na ndihmojnë financiarisht, që ëndrrat tona për xhudon të mos shuhen,” tha Feroza.
Klubi i Xhudos “Gjilani,” që nga themelimi i tij në vitin 2000, ka përballuar sfida të shumta, por dashuria për këtë sport ka triumfuar mbi çdo vështirësi. Puna e palodhur, përkushtimi dhe sakrifica e trajnerëve dhe drejtuesve janë shembull frymëzues për komunitetin sportiv të Kosovës.